Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbingarkohet Infektivja, spitalet rajonale nisin trajtimin për COVID-19

Pacientët e infektuar me Covid-19 kanë filluar të trajtohen edhe nëpër spitale regjionale.

Që nga paraqitja e rasteve të para me koronavirus, pacientët e prekur janë referuar vetëm në Klinikën Infektive në QKUK.

Por meqë kjo e fundit ka filluar të mbingarkohet, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që këto raste, të cilat nuk kanë komplikime, të trajtohen në komunat e tyre.

“Me rritjen e fluksit të pacientëve që kanë ardhur nga spitalet regjionale, na ka detyruar që të urdhërojmë drejtorët e këtyre spitaleve të krijojnë reparte infektive të zgjeruara, në mënyrë që pacientët të dyshuar për Covid-19 dhe me simptomatologji të lehtë, të nevojshëm për hospitalizim, të pranohen në spitale regjionale. Këto spitale në bashkëveprim me IKSHPK-në të marrin mostrat dhe pacientët e tillë të mos referohen për në Infektive. Dhe në rast të komplikimeve të udhëzohen në Klinikën Infektive”, ka thënë drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, në një përgjigje me shkrim për KOHËN.

Ai ka shtuar se janë takuar me të gjithë drejtorët e këtyre spitaleve dhe janë pajtuar me këtë gjë.

Edhe Klinika Infektive nuk ka më shtretër për të prekurit me koronavirus Arbëri Klinika Infektive nuk ka më shtretër për të prekurit me koronavirus

Por drejtorët e spitaleve rajonale u kanë bërë apel qytetarëve që t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së.

Spitali rajonal i Prizrenit, që ka 5 infektologë, është i vetmi që ka hapësirë të mjaftueshme për trajtimin e këtyre rasteve.

Spitali rajonal i Gjakovës dhe ai i Pejës i kanë nga dy infektologë, dhe në repartet e infektives kanë kapacitet prej 20-30 shtretër.

Në Spitalin e Gjilanit janë 5 infektologë, dhe ka kapacitet prej 10 shtretërve për pranimin e pacientëve.

Për këtë Ministria e Shëndetësisë ka punësuar edhe 200 mjekë, prej tyre edhe infektologë.

Edhe Konfirmohen raste të riinfektimit me Covid-19 në Kosovë Arbëri Konfirmohen raste të riinfektimit me Covid-19 në Kosovë

Përderisa spitali rajonal i Mitrovicës ka dy infektologë, aty nuk ka hapësirë për trajtimin e personave të prekur me COVID-19, andaj janë të detyruar që pacientët t’i referojnë për në Klinikën Infektive në QKUK.

Gjendje e njëjtë me këtë të Mitrovicës është edhe në Spitalin e Ferizajt.