Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 800 kontrata emergjente u nënshkruan gjatë 2020-s, vetëm 37% e tyre për pandeminë

Kontratat përmes procedurave emergjente të nënshkruara nga institucionet e Kosovës gjatë vitit 2020 kanë shënuar një mori shkeljesh, kështu po konsiderojnë përfaqësues të shoqërisë civile, raporton Ekonomia Online.

Diana Metushi-Krasniqi menaxhere e projekteve nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se gjatë monitorimit të këtyre kontratave kanë vërejtur fryrje të çmimeve.

Sipas saj, në kohën kur Kosova ka pasur më së shumti nevojë për materiale mbrojtëse ndaj Covid-19, institucionet kanë zvarritur kontratat.

“KDI-ja vazhdimisht gjatë viti 2020 ka monitoruar kontratat emergjente dhe publikimin e parë të kontratave emergjenteve që janë bërë gjatë periudhës mars-prill kanë treguar për fryrje tejet të mëdha të çmimeve të tregut për furnizimet me mjetet mbrojtëse ndaj pandemisë Covid-19”.

“Kemi vazhduar me monitorimet e mëtutjeshme, kemi identifikuar një mori shkeljesh në mënyrë të vazhdueshme, por edhe një qasje jo të drejtë prej institucioneve sa i përket furnizimeve emergjente. Ka pasur raste kur Kosova ka qenë në krizë për materiale mbrojtëse dhe teste për Covid, ndërsa procedura është zvarritur më muaj në proceset ankimore pa marrë trajtimin e duhur dhe duke i lënë qytetarët në mëshirën e fatit apo të shpenzimeve personale që është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e pandemisë, që shteti e ka për obligim të mbulojë të gjitha shpenzimet e pacientëve”, ka thënë ajo.

Edhe OpEd Flamujt e kuq të kontratave njëburimore

Hulumtuesja nga KDI ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020, Kosova ka nënshkruar mbi 800 kontrata emergjente të cilat kapin vlerën e 65 milionë eurove. I dhimbshëm sipas saj është fakti që nga këto kontrata vetëm 37 për qind kanë pasur të bëjnë me përpalljen e pandemisë.

“Në përgjithësi kemi bërë një analizë dhe kemi parë që në Kosovë gjatë vitit 2020 janë dhënë diku afër 800 kontrata me procedurë emergjente në vlerë të afër 65 milionë që është një vlerë mjaftë e madhe e buxhetit tonë. Ndërsa kur analizohet përmbajtja e këtyre prokurimeve emergjente e sheh që vetëm 37 për qind e tyre janë në përballje me pandeminë, për mjete mbrojtëse, furnizim me barna ose për dezinfektim e pako emergjente ndërsa pjesa tjetër apo 63 për qind e tyre me 41 milionë e vlerës së shpenzuar kanë shkuar për furnizime të llojllojshme që shumica prej tyre kanë qenë të planifikuara për realizim të zakonshëm apo të rregullta-pa procedurë emergjente”, theksoi Metushi-Krasniqi.

Metushi-Krasniqi ka thënë se është shqetësuese që edhe sot kur situata është normalizuar, akoma procedohet me kontrata emergjente gjë që eliminon konkurrencën dhe rrit çmimin e shpenzimeve publike.

Kurse hulumtuesi nga Iniciativa për Progres (INPO), Qëndrim Arifi ka thënë se institucionet tona duke ia faturuar urgjencën pandemisë, po nënshkruajnë kontrata të shpejta, duke e cenuar kështu konkurrencën e lirë të tregut.

“Ligji thotë në mënyrë stikte që këto procedura duhet të përdorën vetëm në raste të urgjencave ekstreme, çka shohim sot e gjatë pandemisë që është keqpërdorë kjo procedurë. Duke ia faturuar urgjencës me pandeminë vazhdojmë ende të shohim që autoritet vazhdojnë ta përdorin këtë procedurë. Kjo procedurë e minon konkurrencën e lirë të tregut”, është shprehur ai.

Edhe Metushi-Krasniqi: Ndonëse s’kishte emergjenca, institucionet nënshkruan kontrata njëburimore TEMPUS Metushi-Krasniqi: Ndonëse s’kishte emergjenca, institucionet nënshkruan kontrata njëburimore

Arifi ka thënë se sa herë procedohet me këto lloj kontrata është e sigurt që institucionet marrin produkt me çmim më të shtrenjtë se ai i tregut.

“Nga monitorimi sistematik që organizata jonë po bën në fushën e prokurimit publik shohim që sa herë që përdoret kjo procedurë autoritetet një gjë e kanë të sigurt që do të marrin çmim më të shtrenjtë se çmimi i tregut”, ka përfunduar ai për EO.