Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale i Qeverisë se Republikës së Kosovës Z. Arban Abrashi, vizitoi tri biznese te reja, Formon, JCoders Academy dhe Milingona, të cilat janë ndihmuar si pjesë e programit për vetëpunësim. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është bashkë-financues me organizatën HELP, në zbatimin e projektit të vetëpunësimit që nga 2015, njofton kumtesa ministrore, transmeton, Koha.net. .
Deri më tani nga bashkëpunimi mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe organizatës HELP, janë ndarë më shumë se 500 grante për vetëpunësim në tërë Kosovën. Përfituesit prezantuan aktivitetet e tyre biznesore, sukseset dhe sfidat. Ata, po ashtu falënderuan ministrin për vizitën e tij.
Ministri Abrashi dhe përfituesit e granteve biseduan për mundësitë e vazhdimit të përkrahjes në funksion të zhvillimit të mëtutjeshëm, përmes skemave të punësimit. Programi i përkrahjes së bizneseve të reja përmes granteve për vetëpunësim do të vazhdojë edhe këtë vit në komunat e Pejës, Novo Bërdes, Prizrenit dhe Vushtrrisë.