Arbëri

Mbi 1000 vepra penale gjatë vitit 2021 në Fushë-Kosovë

Kanosjet e dhuna në familje janë vetëm disa prej rasteve që kanë shënuar rritje në Komunën e Fushë-Kosovës gjatë vitit 2021 krahasuar me dy vitet paraprake.

Në një informatë të kryetarit të Komunës, Burim Berisha, e cila u është dërguar anëtarëve të Kuvendit Komunal, thuhet se nga 91 respektivisht 117 raste të kanosjes nga sa kanë qenë në 2019 e 2020, ka shkuar në 120 në 2021.

Rritje ka edhe te lëndimi i rëndë truporë, ku nga 4 e 11 sa kanë qenë në vitet paraprake ka shkuar në 16.

Po ashtu edhe te asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë ka rritje të rasteve. Nga 75 e 66 sa kanë qenë në 2019 e 2020 ka shkuar në 129. Siç thuhet tutje në këtë informatë në 2021 kanë qenë 140 raste dhunës në familje, kundrejt 93 dhe 91 sa kanë qenë në 2019 e 2020.

“Veprat penale kundër pasurisë: vjedhje 150, vjedhje në tentativë 23, vjedhje e rëndë 151, 1 vjedhje grabitqare, 9 grabitje, 60 raste të shpërdorimit të pasurisë së huaj, 1 uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme, 129 rast të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë, 11 zjarrvënie, 23 raste të mashtrimit, 7 raste të hyrjes në sistemet kompjuterike, 5 raste të shantazhit, keqpërdorim i besimit 11 raste, blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara 10 raste”, thuhet ndër të tjera në informatë.

Sipas të njëjtës, gjatë vitit 2021 kanë ndodhur 45 ngacmime, 78 sulme, 126 lëndime të lehta trupor, 16 raste të lëndimit të rëndë trupor, 8 raste të tentim vrasjes, 1 vrasje e rëndë. Pastaj, privimi i kundërligjshëm i lirisë 2 raste, fotografim dhe incizime tjera të paautorizuara 3 raste, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge 40 raste, armë të konfiskuara 32, municioni i konfiskuara 296.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur edhe 37 raste të falsifikimit të parasë 37, 2 raste të lëshimit të çeqeve pa mbulesë, 3 raste të pengimit të personit zyrtar, 4 sulme ndaj personave zyrtarë, heqje apo dëmtim i vulave zyrtare ose i shenjave 3 raste, prezantim i rremë si person zyrtar 1 rast, vetëgjyqësia 11 dhe dëmtimi i varreve apo kufomave 1 rast. Në informatë janë paraqitur edhe kundërvajtjet, ku fletëparaqitje për mosrespektim të masave ndaj COVID-19 janë shqiptuar 3 mijë e 911.