Është bërë prezantimi dhe promovimi i shpezëve të kultivuara në Kosovë, në një aktivitet të organizuar për herë të parë në vendin tonë. “Panairi mbarëkombëtar i shtazëve dhe shpezëve të imët” nga organizatorët u tha se ka për qëllim të tregojë shumëllojshmërinë e shpezëve. Vizitorë e pjesëmarrës e shohin të domosdoshëm zhvillimin e ngjarjeve të tilla.
Kjo sallë e sporteve në Fushë Kosovë për dy ditë u mbush me shpezë e shtazë të imët.
Kjo, pasi për herë të parë në vendin tonë u organizua panairi mbarëkombëtar i shtazëve dhe shpezëve të imët, në të cilin u bë prezantimi dhe promovimi i shpezëve të kultivuara në Kosovë.
Gafurr Latifi, njëri nga organizatorët, ka mbetur i kënaqur me organizimin, sa tash po thotë se ai duhet të vazhdojë edhe viteve në vijim.
“Ky është panairi i parë, dhe ndoshta ka për të pasur edhe kritika, ka për të pasur edhe pëlqime edhe të gjitha, por shpresojmë që në të ardhmen ka për të qenë në nivelin me...është e nivelit besoj...se faktikisht kemi ekspozuar edhe ne vetë, kemi marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare, faktikisht e kemi një përvojë, mirëpo këtu jemi duke biseduar rreth 3 federatave qe e kanë organizuar këtë, domethënë, Federata e Pëllumbit Rrotullues Dynek që quhet dhe raca e pëllumbit postier edhe racave domethënë, këto të imëta si për shembull shpezë, pula dhe shpezë të tjera”, ka thënë Latifi.
Gjatë ditës së parë, është bërë vlerësimi i shpezëve nga ana e jurisë, nga juria që përbëhej nga sektorë të ndryshëm, ku disa nga pjesëmarrësit kanë marrë mirënjohje, kupa e medalje.
Afrim Myrtaj, pjesëmarrës në këtë ngjarje, si dhe kultivues i llojeve të ndryshme të shpezëve, ka fituar vendin e parë me gjelin autokton, i cili njihet si “Gjeli këndimgjatë”
Edhe
Laboratori i parë i shkencave natyrore dhe biodiversitetit në Kosovë
“Gjeli këndimgjatë i Republikës së Kosovës” është i pranuar ndërkombëtarisht në Ornitologjinë Evropiane, pra është specie unikale, është një gjel i cili këndon me një gjatësi shumë të gjate, mundem lirisht të them ndoshta se gjatësinë e këndimin e ka edhe më të gjatën në botë, e ka një ton melankolik, të butë dhe është shumë i bukur. Dallon nga shpezë të tjerë, sepse ngjyrën e ka të zezë, mirëpo shpeshherë mund ta gjeni edhe në pigmente të kuqe, sidomos në krahë, qafë, edhe në pjesën e tufës, ose kaçuretës ne zhargonin e vjetër”, ka thënë Myrtaj.
Ndërsa Naser Vllasi, vizitor nga Prishtina, u shpreh i kënaqur me organizmin e panairit.
“Kosova ka nevojë shumë për të pasur kësi gjëra, relaksimi përshembull është në rend të parë, relaksohen, dalin, shëtisin, shikojnë, vijnë prej të gjitha viseve të Kosovës”, ka thënë Vllasi.
Aktiviteti tradicional u organizua nga Klubi i Pëllumbave “Dynek”, përkrahur nga Federatat e Pëllumbave të Kosovës dhe Komuna e Fushë-Kosovës.