Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
SOT

Prishtina nikoqire e garës për qen, mungojnë garuesit vendorë

Ky vit solli edhe një herë edicionin e 53-të të garës “Goddess on the throne” ose në shqip “Perëndesha në fron”.

Garues nga shtete të ndryshme kishin udhëtuar bashkë me miqtë e tyre më besnikë për të qenë pjesë e garës së sivjetshme. Gjithçka ishte gati dhe me himnin e flamurit u shënua fillimi i edicionit.

Qenë nga më të ndryshmit ishin prezentë në amfiteatrin e Parkut të Gërmisë. E nuk munguan as fytyrat publike, ku një ndër ta ishte edhe ish-basketbollisti dhe tani i pari i Drejtorisë së sportit në Prishtinë, Granit Rugova.

“Është kënaqësi me qenë në Prishtinë, në Gërmi tek amfiteatri i Gërmisë, ku po zhvillohet një aktivitet i tillë, aktivitet shumë i mirë, shumë atraktiv. Është kënaqësi për kryeqytetin, pasi që është promovimi i Prishtinës edhe në arenën ndërkombëtare. Ne si drejtori dhe si komunë kemi pasur kënaqësi në forma të ndryshme ta përkrahim këtë aktivitet”, tha Rugova

Sa i përket garës “Goddess on the throne”, ky manifestim është duke u organizuar nga Federata kinologjike e Kosovës, në krye me Saud Kajtazin.

Edhe Protestohet kundër qasjes së Komunës së Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë LAJMET E MBRËMJES Protestohet kundër qasjes së Komunës së Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë

“Federata kinologjike e Kosovës është organizatë joqeveritare, e cila merret me kultivimin, mbarështimin, organizimin e të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me racat e pranuara ndërkombtarisht, me fjalë të tjera me të gjithë racat e pastra të qenve. Federata kinologjike e Kosovës zyrtarisht është themeluar në vitin 2002, ndërsa veprimtarinë e saj e ka zhvilluar qysh nga viti 1992. Ky është organizimi ndërkombëtar i 53 me radhë, i cili mbahet qysh nga viti 2014, pasi që Federata kinologjike e Kosovës zyrtarisht është e pranuar në vitin 2014 si kontrakt partner, ndërsa në vitin 2019 jemi pranuar si anëtarë asociativë”, theksoi Kajtazi.

E në edicionin e 53-të numri i garuesve nuk ishte si në garat e kaluara. Sipas kryetarit, situata në veri ka ndikuar në dorëheqjen e kandidatëve në momente të fundit.

“Fillimisht kemi pasur shumë pak qenë, pasi që është manifestim kinologjik ndërkombëtar, janë dy lloje, kombëtar dhe ndërkombëtar të cilat mbahen 2 ditë radhazi. Fillimisht e kemi fillu me pak qen e pastaj ka fillu duke u rritë çdoherë. Këtë vit kemi më pak, ku kemi pasur pak rënie pasi që situata e ka bërë të veten, andaj kemi më pak. Shpresojmë që viteve të ardhshme manifestime të tjera do të kemi më shumë. Kemi nga të gjitha shtetet e Ballkanit dhe Evropës, qysh nga Norvegjia, Finlanda e kemi pasur raste kur kanë ardhur edhe nga Australia. Pak a shumë të gjitha shtetet e Evropës marrin pjesë, por edhe të rajonit”, tha Kajtazi.

Pronarët e qenve po garonin bashkë me 4-këmbëshat e tyre. Garat gjithmonë ndahen në qentë këlysh, qentë e vegjël, të mesëm dhe ata të mëdhenj. Raca nga më të ndryshme e shumë prej tyre edhe qenë që nuk i kishim hasur asnjëherë më parë në Kosovë.

Ndonëse kishte garues nga e tërë Evropa, ata të vendit munguan.

“Kultura kinologjike në Kosovë është e ulët fatkeqësisht. Qen mbajtës ka shumë të cilët i mbajnë nëpër shtëpia, nuk i regjistrojnë, nuk kanë pedigre, pasi që për të qenë pjesë e garave tona, kusht i parë është pedigreja e qenit, ku ajo tregon se qeni yt është racë e pastër. Po mbi të gjitha dalëngadalë po shkon duke u rritur, sidomos me racat tona autoktone”, theksoi Kajtazi.

Pas përfundimit të audicioneve, filloi përzgjedhja e fituesve nëpër kategori. Qentë nga më të vegjlit deri tek ata të mëdhenjtë po merrnin çmime nga juria vendore dhe e huaj. Në fund të edicionit vendin e parë e zuri Marseli, qen i racës Afghan Hound me pronaren e tij të ardhur nga Norvegjia.

Edhe Protestë kundër qasjes së Komunës së Prishtinës në trajtimin e qenve endacakë Arbëri Protestë kundër qasjes së Komunës së Prishtinës në trajtimin e qenve endacakë

“Fituam më të mirin e shfaqjes për herë të parë në Kosovë. Kam qenë më herët në Kosovë nëpër gara të tjera, por kjo është hera e parë që zëmë vendin e parë në Goddess of the throne. Të gjithë organizatorët janë duke bërë një punë të madhe dhe të palodhshme. E dashuroj Kosovën edhe pse sigurimi i veturës është paksa i lartë, por pavarësisht asaj gjithçka tjetër më pëlqen”, tha pronarja e tij, Kari-Anne Jacobsen.

Marseli nga Norvegjia zuri vendin e parë kësaj radhe e deri në organizimin tjetër bëni gati qentë tuaj për pjesëmarrje.