Ministria e Bujqësisë ua ka ndarë grantet njëmilionëshe tri grupeve të bizneseve, pavarësisht se ato nuk e plotësonin njërin prej dy kritereve të veçanta të pranueshmërisë. Kriteret janë të listuara në Udhëzimin administrativ në bazë të të cilit janë dhënë grantet.
Në nenin 30 të këtij dokumenti precizoheshin dy kritere të veçanta të pranueshmërisë, e njëri nga të cilët kërkonte që “të gjithë aplikuesit duhet të jenë të regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) me aktivitet në agrobiznes së paku dy (2) vjet para datës së aplikimit, si dhe të regjistruar në AUV së paku dy (2) vite para datës së aplikimit”.
Mbështetur në thirrjen publike të lansuar vitin e shkuar nga Ministria, aplikimi për grante mund të bëhej më së largu në orën 16:00 të datës 18 qershor 2018. Kësisoj, sipas udhëzimit, aplikimi do të ishte i rregullt, nëse bizneset do të ishin të regjistruara në ARBK dhe AUV më së largu më 18 qershor 2016.
Ministria e Bujqësisë ndan jashtëligjshëm tre milionë euro
Bizneset që përfituan jashtëligjshëm tre milionët e Ministrisë së Bujqësisë
Mungesë transparence për tre milionët e dhënë jashtëligjshëm në emër të granteve
Edhe në krye të “Formularit për aplikim” kërkohej të dëshmohej kjo.
“Unë kam të paktën 2 vite eksperiencë në sektorin përkatës siç dëshmon dokumenti nr. 4 (në
Shtojcën e këtij formulari) – Certifikata e Regjistrimit të Biznesit dhe të aprovuar ose regjistruar së paku para dy vite në AUV”, është përmbajtja e kolonës së dytë, në faqen pas të dhënave që lidhen me biznesin. “Të gjitha të dhënat, informatat dhe dokumentacioni, të cilin unë e kam paraqitur në këtë formular për aplikim janë të vërteta. Jam i vetëdijshëm se paraqitja e të dhënave të pavërteta ndëshkohet me ligjet në fuqi”, vijohej në kolonën e fundit të aplikacionit.
Shkelja më e madhe është bërë në raport me kooperativën “Zubin Potok” me bazë në veriun e vendit të banuar kryesisht me serbë.
Mbështetur në shpalljen e bërë nga AZHB-ja, ky subjekt që drejtohet nga Rade Utviq, ka fituar grantin si i vetëm, për të realizuar një projekt për ngritjen e një objekti për magazinimin dhe ruajtjen e frutave, por edhe për “modernizimin e objekteve të tjera përcjellëse”, si dhe për “futjen e pajisjeve dhe teknologjisë së re”. Në shpallje nuk figuron ndonjë operator tjetër, përpos kooperativës “Zubin Potok”.
Por, Utviq ka thënë se ai kishte aplikuar si konzorcium bashkë me një firmë tjetër, emrin e së cilës nuk e ka bërë të njohur.
“Zubin Potok” është regjistruar në ARBK tek me datën 6 qershor 2017, pra vetëm një vit përpara aplikimit për grant dhe jo dy sa kërkon udhëzimi administrativ.
E, në AUV kanë treguar se ky biznes fare nuk është i regjistruar.
Por, Utviq ka bërë përpjekje ta mashtrojë gazetën, kur është përpjekur të “dëshmojë” se biznesi me të cilin ka fituar grantin ishte i regjistruar në AUV. Si argument ai ka prezantuar jë dokument, të cilin ka thënë se në prill të 2016-s ia ka lëshuar AUV-ja.
“Vërtetohet se operatori i biznesit U.P. ‘Zubin Potok’ ... është i regjistruar në regjistrin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës si prodhues dhe përpunues i pemëve, perimeve dhe frutave të imëta (manorë)”, thuhet në vërtetimin që mban nënshkrimin e Fatoh Hazirit, shef i Sektorit të ushqimit me prejardhje joshtazore. “Operatori i nënshtrohet kontrolleve zyrtare sipas planit kombëtar dhe kontrolleve tjera specifike sipas legjislacionit në fuqi”.
Por, ky dokument dëshmon regjistrimin në AUV të U.P “Zubin Potok”, që sipas ARBK-së ishte biznes individual i Utviqit, por që është shuar. Ky fermer serb, në Ministrinë e Bujqësisë nuk kishte aplikuar me këtë biznes për grantin njëmilionësh, por me kooperativën që ka të njëjtin emër – D.O.O “Zubin Potok”. Edhe AUV-ja ka treguar se këto dy biznese nuk janë të njëjta.
Pavarësisht se është shërbyer me dokumente të tilla të rrejshme, Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Nenad Rikalo, e ka shpërblyer Utviqin me grantin në vlerë një milion euro.
Njërin prej dy kritereve të pranueshmërisë nuk e plotësonte as konzorciumi që në përbërje ka bizneset “Novus”, “Sofra Distribution”, “Blerimi-B” dhe “Katering Prishtina”, dhe as ai që përbëhet nga “Dhemetra”, “Dhemetra Joint Venture” dhe “Moea”.