Arbëri

Mungesë transparence për tre milionët e dhënë jashtëligjshëm në emër të granteve

Grantet njëmilionëshe, për ndarjen e jashtëligjshme të të cilave ka raportuar në numrin e sotëm “Koha Ditore”, nuk ishin dhënë nëpërmjet programit të rregullt.

Ministria kishte bërë një “program të veçantë”, i cili me gjithçka e meritonte epitetin: vlera e një granti ishte 500 për qind më e lartë se ajo që ofrohej me programin e rregullt; ishte eliminuar konkurrenca në nivel vendi, kur ishte përcaktuar se çfarë lloj projekti specifik do të mbështetej në secilin prej gjashtë rajoneve të vendit; tri herë ishte ndryshuar udhëzimi administrativ mbi bazën e të cilit ishin dhënë grantet; vet udhëzimi ishte shkelur me rastin e përzgjedhjes së tre prej katër përfituesve dhe; kishte munguar transparenca që kërkohej sipas akteve rregullative.

Bizneset që përfituan jashtëligjshëm tre milionët e Ministrisë së Bujqësisë

Vesel Krasniqi është zëvendësministër i Bujqësisë nga radhët e Nismës Socialdemokrate, një subjekt politik i formuar vite më parë pas disa përçarjesh në PDK. Ai ka treguar se vendimmarrja për ndarjen e këtyre granteve ishte koncentruar tek pak zyrtarë dhe vet nuk kishte qasje.

“Procedurat të cilat i ka ndjekur ministri i Bujqësisë, janë jo të rregullta. Ne si zëvendësministra, por mendoj edhe si staf i Ministrisë, jemi informuar vetëm pasi janë ndarë grantet dhe, sipas asaj që tash po shohim, janë favorizuar biznese apo persona të caktuar. Nuk kanë qenë të informuar as disa drejtorë kompetentë të kësaj fushe dhe nuk ka pasur kurrfarë konsultimi me organizata joqeveritare dhe me fermerë”, ka thënë Krasniqi. “Ministri e ka një grup të ngushtë me të cilët bashkëpunon. Është sekretari Kapllan Halimi dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të AZHB-së, Ekrem Gjokaj”.

Departamenti i politikave të zhvillimit rural, sipas ligjit, ka statusin e autoritetit menaxhues dhe në mandat e ka edhe përgatitjen dhe zbatimin e Programit të zhvillimit rural, duke përfshirë përzgjedhjen e masave dhe publicitetin e tyre, koordinimin, vlerësimin, monitorimin dhe raportimin.

“Masa e veçantë”, nëpërmjet së cilës janë ndarë 4 milionë euro, nuk kishte kaluar nëpër këtë dikaster, nuk ishte diskutuar në grupe punuese dhe as me shoqërinë civile.

Zenel Bunjaku e drejton Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), një nga organizatat jofitimprurëse më të mëdha në rajon. Ai ka treguar se çfarë e dallonte këtë masë, nga të tjerat.

“Autoriteti menaxhues që e ka përgatitur Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2014-2020, çdo fundvit i përgatit masat për vitin tjetër. Në fund të vitit 2017 ne jemi thirrur nga Ministria për t’i diskutuar masat për vitin 2018. Por, atëherë nuk është diskutuar për ‘masën e veçantë’, për të cilën po flet, dhe me të cilën janë mbështetur ato biznese”, ka treguar Bunjaku. “Pra, masa është aprovuar pa e përmbushur këtë kriter”.

Mbështetur në nenin 5 të Ligjit për bujqësi, Plani kombëtar i bujqësisë dhe zhvillimit rural hartohet nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse, dhe me propozim të Qeverisë miratohet në Kuvendin e Kosovës. Po sipas këtij ligji, Plani miratohet për një periudhë prej shtatë vitesh.

Ministria, Planin e ka kthyer në Program. Atë e kishte miratuar për periudhën 2014-2020, por ky dokument kurrë nuk ishte vënë për miratim në Kuvend dhe kurrë nuk është publikuar.

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë është institucion nën kupolën e Ministrisë dhe ka për mandat të implementojë programet mbështetëse për bujqësi dhe zhvillim rural.

Prej gati një viti, ky institucion funksionon me ushtrues detyre, meqë ministri Nenad Rikalo e mban të suspenduar kryeshefin Elhami Hajdarin, njeriun që kishte refuzuar t’ia përcillte jashtëligjshëm mbi 80 mijë euro një biznesi me bazë në Prizren, me të cilin kishte raport afarist Biljana Rikalo, bashkëshorte e këtij ministri të bujqësisë.

“Masa e veçantë” zbatohet nën mandatin e ushtruesit të detyrës së kryeshefit të kësaj agjencie, Ekrem Gjokaj. Nëpërmjet disa përgjigjeve të shkruara, ai i ka thënë gazetës se hartimit të programi me të cilin janë ndarë 4 milionë euro grante, i ka paraprirë një analizë e detajuar e vlerësimit Ex-ante e edhe e vlerësimit Ex-post. Ka përmendur edhe një numër tjetër analizash, pavarësisht se që të gjitha ishin bërë për programin kombëtar shumë vite më herët, e jo për masën e veçantë.

“Duke u bazuar në këto analiza dhe informacione, MBPZHR tenton të adresojë të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit duke investuar në të gjitha nivelet, pra nga shumat minimale për fermerë dhe biznese individuale, e deri tek kompanitë e mëdha. Kjo është edhe arsyeja e vetme e ndarjes së granteve në vlera më të mëdha, pasi që kostoja e investimit është shumë më e madhe”, ka thënë Gjokaj. “Programi dhe prioritetet e MBPZHR janë në linjë të drejtë edhe me Strategjinë për Zhvillimin Ekonomik Kombëtar dhe Programin e Reformës Ekonomike, dokumente këto të hartuara me mbështetje të Komisionit Evropian”.

Pas këtyre përgjigjeve, gazeta ka kërkuar informacione shtesë nga Ministria, por edhe kopjet e Programin për bujqësi dhe zhvillim rural që i referohet periudhës 2014-2020, sikurse edhe kopjet e analizave të përmendura në përgjigje. Ato nuk i janë vënë në dispozicion gazetës, ani se sekretari Kapllan Halimi pati dhënë zotimin për qasje të pakufizuar në çfarëdo dokumenti e informate që do të kërkohej gjatë hulumtimit.

Vlerësimi i aplikimeve të bizneseve ishte përmbyllur më 14 gusht të 2018-s, ndërsa emrat e fituesve të të katër granteve ishin mbajtur fshehtë. Për ta gazeta ka mësuar vetëm në rrugë jozyrtare. Lista e përfituesve të granteve është shpallur tek më datë 18 të këtij muaji.