Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MASHTI kërkon prova për shkeljen e Kushtetutës

Ministria e Arsimit ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese t’ia ofrojë provat në katër elementet në të cilat ka konstatuar se është bërë shkelje kushtetuese me vendimin e MASHTI-t për organizim të mësimit alternativ të përshpejtuar në Komunën e Kamenicës.

Si kryetar i Komunës, Qëndron Kastrati më 2019 kishte iniciuar reforma në arsim përbrenda Komunës, duke i mbyllur disa shkolla shkaku i numrit të vogël të nxënësve në to. Si rrjedhojë, nxënësit e këtyre shkollave i kishte bartur në objekte të tjera, porse në pakënaqësi ndaj vendimit, prindërit e nxënësve kishte refuzuar që ta zbatonin. Pas kësaj, MASHTI pati vendosur që të organizohet mësimi alternativ i përshpejtuar, duke i rihapur shkollat e mbyllura. Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar këtë veprim si shkelje të Kushtetutës. Kushtetuesja vendosi që Ministria ka ndërhyrë në parimet e vetëqeverisjes lokale.

Të mërkurën, ministrja Arbërie Nagavci mbrojti vendimin e saj, ndërkaq vetëm një ditë më pas, këshilltari në MASHT, Valdrin Dervishaj, ka konfirmuar parashtrimin e kërkesës pranë Kushtetueses për qasje në provat që kjo gjykatë i ka vlerësuar si ndërhyrje të Ministrisë në kompetencat e Komunës së Kamenicës.

Ai ka thënë se ka kërkuar qasje në “Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka organizuar mësim alternativ të përshpejtuar; Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka angazhuar mësimdhënës shtesë për të organizuar mësim alternativ të përshpejtuar; Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lëshuar certifikata për nxënësit pas përfundimit të procesit të mësimor; Provat të cilat dëshmojnë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit shprehimisht ka caktuar vendin se ku do të organizohet mësim alternativ i përshpejtuar”.

Sipas Dervishajt, në shkresat e lëndës nga Gjykata nuk ka prova që dëshmojnë këto veprime. “Kemi kuptuar nga Aktgjykimi se ankuesi ka dorëzuar prova shtesë. Prandaj, kërkesa ka qëllim t'i sigurojë ato prova”.

Artikuj të ngjashëm