Personat me Sindromën Down, kanë marshuar në sheshet e Prishtinës duke kërkuar që të trajtohen njësoj dhe të mos anashkalohen nga shoqëria e shteti. Në këtë marsh janë bashkuar edhe organizatat tjera të personave me aftësi të kufizuara, raporton KTV .
Me moton,“Kosovë më mbështet, fuqizo të drejtën time”, kanë marshuar personat me Sindromën Down.
Në Ditën Ndërkombëtare të tyre, ata kanë kërkuar të zbatohen ligjet në fuqi ku garantohet gjith[përfshirje në çdo aspekt.
Personat me aftësi të kufizuara, vazhdimisht janë ankuar se nuk kanë një qendër adekuate ku mund t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre.
Në këtë hapësirë të vogël veprojnë personat me Sindromën Down.
Por, tashmë është ndarë lokacioni nga Komuna e Prishtinës për ndërtimin e një qendre për ta.
Afër Stacionit të Autobusëve pritet që në qershor të fillojë ndërtimi i objektit 2 mijë e 500 metërsh me 3 kate, me një kosto prej gjysmë milioni euro.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte premtuar që paratë e veturës së shitur Audi Q7 do t’i investonte në këtë qendër.
Mirëpo, pasi i kanë marrë ato, tash Ahmeti paratë e Q7-it thotë se i kanë investuar edhe në fusha të tjera.
Por objekti, po i duket i vogël drejtoreshës së QSD-së, pasi, sipas saj, numri i personave me Sindromën Down dhe atyre me Autizëm çdo herë është në rritje.
Sipas saj, vetëm në Prishtinë aktualisht janë 170 persona të kësaj kategorie.