Për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbështetja dhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara është thelbësore, thonë në Presidencën e Kosovës.
Bekim Çollaku, shef i kabinetit të Presidentit këshilltar politik, tha për Radion Evropa e Lirë se, Bashkimi Evropian ka qenë dhe mbetet ndërmjetësues i dialogut të Brukselit për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por shton se Kosova gjithashtu është falënderuese ndaj SHBA-së, “mbështetja e së cilës është vitale dhe e pazëvendësueshme për përparimin e bërë gjatë tërë këtyre viteve”.
“Në përfundim të procesit, ne konsiderojmë se mbështetja dhe pjesëmarrja e SHBA-së është e rëndësishme për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Letra e presidentit Trump është edhe një provë dhe nxitje e mbështetjes amerikane dhe e përkushtimit ndaj këtij procesi ", thotë Çolaku.
Në letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i dërgoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjera shpreh gatishmërinë e SHBA-së për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjes "që do të respektojë interesat e Kosovës dhe Serbisë".
“Letra e presidentit Trump është shpresë dhe besim për institucionet e vendit. Letra është zëri i Amerikës, është mbështetja e plotë dhe unike e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe rajonin, prandaj nëse deri më tash dikush ka pasur hezitime për rolin e SHBA-së, kjo dëshmon qartë dhe me fakte se SHBA-ja është e involvuar në proces”, deklaroi presidenti Thaçi, të mërkurën pas takimit që pati së bashku me udhëheqësit tjerë të Ballkanit Perëndimor, me shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini në Bruksel.
Gjerësisht lexoni në: Marrëveshja përfundimtare, problem i Evropës apo SHBA-së?
-
Thaçi i shkruan Trumpit, “i gatshëm të bëjë kompromiset e nevojshme për marrëveshje me Serbinë”
-
Si e sheh BE letrën e SHBA-së dërguar Kosovës e Serbisë
-
Koordinimi BE-SHBA, garanci se procesi i dialogut nuk do të rrëshqasë në diskutime të dëmshme
-
Sipas Presidencës, dialogu i udhëhequr nga BE-ja s’është në interesin e Kosovës
-
Thaçi: E kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump – ta shfrytëzojmë momentumin