Arbëri

Maqedonci: Të pavërteta deklaratat e Mojsiloviqit se FSK-ja do të përdoret kundër serbëve të Kosovës

ARmatimi

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka quajtur të pavërteta dhe të papërgjegjshme pretendimet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsiloviq, se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të përdoret kundër popullit serb në Kosovë. 

Maqedoni ka thënë se deklaratat e Mojsiloviqit janë në kundërshtim më realitetin në terren. 

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Ajo vepron nën kontroll të plotë civil dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me obligimet tona ndërkombëtare. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, ka shkruar Maqedonci në Facebook. 

Ai ka thënë se fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt.

“Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, ka shkruar Maqedonici. 

Ai ka vlerësuar se narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet.

“Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Kosova ndërton ushtri për mbrojtje. Kosova ndërton siguri për të gjithë”, ka shkruar Maqedonci.

Mojsiloviq në një intervistë për median serbe Politika, teksa ka folur për FSK-në ka thënë se ajo nuk mund të krahasohet me Ushtrinë e Serbisë, por se sipas tij, mund të përdoret kundër popullsisë serbe në Kosovë. 

“Nga pikëpamja ushtarake, ky formacion në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me Ushtrinë e Serbisë, por është shqetësues potenciali që të përdoret kundër popullsisë serbe në Kosovë ...”, ka thënë Mojsiloviq.