Arbëri

Maqedonci: Raketat “Javelin” do t’i kemi në kohën e duhur

Ejup Maqedonci

Foto: Alban Bujari

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se raketat antitank “Javelin” do të jenë në invertarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kohën e duhur, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Maqedonci ka thënë se deri në fund të vitit pritet të kryhet edhe pagesa e këstit të dytë.

“Sa i përket raketave “Javelin”, Ministria është duke vazhduar me procedurat e prokurimit. Në mars të këtij viti kemi ekzekutuar këstin e parë, ndërsa deri në fund të vitit do të ekzekutojmë edhe këstin e dytë. Jemi në rrugën e duhur ta kemi këtë sistem në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti. 

Departamenti Amerikan i Shtetit pati deklaruar se shitja e armëve në Kosovë mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të ShBA-së. 

Sistemi raketor që drejtohet automatikisht dhe arrin distancën deri në 4.000 metra u bë i njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë. 

Ngritja e kapaciteteve mbrojtëse bëhet në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. 

Veç Shteteve të Bashkuara, mbështetëset kryesore në armatosjen e Kosovës janë: Turqia, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia.