Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Maqedonci: Kamionët ushtarakë gjermanë ofrojnë siguri dhe janë modernë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kamionët e blerë dhe të pranuar si donacion nga Gjermania janë ndër modernët, multifunksionalë dhe të dizajnuar për operacione logjistike e taktike.

Ai ka shkruar në Facebook të martën se kamionët ushtarak RheinMetall MAN HX2 ofrojnë siguri më të madhe dhe garantojnë mbrojtje në kabinë.

“Karakteristikat e reja të këtij kamioni të pastër ushtarak janë shumë mbresëlënëse. Falë sistemeve të ndryshme të asistencës, HX2 u ofron ushtarëve dhe mjedisit civil siguri më të madhe në përdorimin e përditshëm të automjeteve dhe garanton dukshëm më shumë mbrojtje në kabinë. Menaxhimi i flotës në këta kamionë gjithashtu bëhet më i thjeshtë dhe më efikas, ndërsa konfigurimi i përgjithshëm mundëson transportimin e municioneve në terrene të vështira”, ka shkruar Maqedonci.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës është çdoherë e më shumë më e pajisur për të garantuar misionin e saj.

10 kamionë të tillë ushtarakë janë blerë nga buxheti i shtetit e 5 të tjerë janë dhënë donacion.