Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konstatuar se propozim-vendimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë kundër vendosjes së njehsorëve elektrikë në shtylla është miratuar në seancën e Kuvendit Komunal të 4 marsit, ndryshe nga ajo që kishte konstatuar kryesuesi Fatmir Gashi.
Ky i fundit, pas numërimit të votave, kishte konstatuar se 17 këshilltarë kanë votuar pro dhe po aq kundër dhe në këtë rast ai e ka përdorur votën e dyfishtë për ta hedhur poshtë këtë propozim. Më vonë në bazë të xhirimeve është parë që një këshilltar i partisë në pushtet (LDK), Qëndrim Softolli, nuk kishte votuar fare, pasi kryesuesi nuk kishte kërkuar nëse dikush abstenon. Vetëvendosje e kishte dërguar ankesën në MAPL, e cila e ka rrëzuar konstatimin e kryesuesit Gashi.
“Bazuar në raportin e monitorimit të seancës së Kuvendit të Komunës së 04.03.2019, kërkesa e Grupit të anëtarëve të Kuvendit të Lëvizjes Vetëvendosje për propozimin e vendimit që kompanisë KEDS t’i ndalohet vendosja e njehsorëve elektrikë të ekonomive familjare në shtyllat e rrjetit elektrik ka kaluar, pasi që në votim kanë marrë pjesë 34 anëtarë të Kuvendit, ku 17 kanë qenë për, 16 kundër dhe 1 anëtar nuk ka votuar”, thuhet në përgjigjen e MAPL-së të protokolluar më 5 prill 2019.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)