Përmirësimi i procesit të shpalljes së rezultateve preliminare kërkon ndërhyrje të menjëhershme në aspektin teknik dhe ligjor, përfshirë ndërtimin e një sistemi të besueshëm për transmetimin dhe publikimin e të dhënave, kanë thënë njohës të zgjedhjeve pas publikimit të raportit të Misionit të Vëzhguesve të Bashkimit Evropian. Me gjithë miratimin e ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme që u cilësua si i përshtatshëm për zgjedhje demokratike, zbatimi i tij u shoqërua me paqartësi dhe improvizime që shpërfaqën defekte të mëdha në funksionimin e KQZ-së
Pa ndërhyrje të menjëhershme në aspektin teknik dhe ligjor, Kosova mund të hyjë në një proces tjetër zgjedhor me parregullsi të shumta, kanë thënë njohës të zhvillimeve. Mangësi serioze në pavarësinë e Komisionit Qendror Zgjedhor, përgatitjet teknike dhe në menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, ka konstatuar Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian (EU EOM).
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se gjetjet e Misionit evropian vetëm sa konfirmojnë paralajmërimet e tyre për rrezikun që sjell politizimi i brendshëm i KQZ-së dhe mungesa e përgatitjes së duhur teknike për zbatimin e reformës përmes miratimit të Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme në vitin 2023.
“Përmirësimi i procesit të shpalljes së rezultateve preliminare kërkon ndërhyrje të menjëhershme në aspektin teknik dhe ligjor, përfshirë ndërtimin e një sistemi të besueshëm për transmetimin dhe publikimin e të dhënave. Nëse nuk ndërmerren masa konkrete brenda afateve të duhura, ekziston rreziku që edhe zgjedhjet lokale të përballen me të njëjtat probleme, duke minuar besimin publik në integritetin e votës”, ka theksuar Jakaj.
Ai ka shtuar se adresimi i kësaj çështjeje është i mundur vetëm nëse KQZ-ja lirohet nga ndikimi politik dhe rrit kapacitetet e saj teknike dhe njerëzore.
“Pa një vlerësim të thellë të dështimeve në zgjedhjet parlamentare dhe pa një plan veprimi për korrigjimin e tyre, problematika me rezultatet preliminare do të përsëritet. Pavarësia e KQZ-së nuk mund të arrihet pa një reformë të mirëfilltë institucionale dhe ligjore, që ndan qartë funksionin profesional nga ai politik. Rishikimi i rolit të partive politike në përbërjen e KQZ-së dhe forcimi i kontrollit publik dhe të mekanizmave të llogaridhënies, për të garantuar një administratë zgjedhore që vepron në përputhje me interesin publik dhe jo me kalkulime partiake”, ka thënë Jakaj.
Pavarësisht se zgjedhjet u mbajtën bazuar në ligjin e ri, raporti final i vëzhguesve evropianë konstatoi se zbatimi i tij u shoqërua me paqartësi dhe improvizime që konfirmuan defekte në funksionimin e administratës zgjedhore.
Vëzhguesit evidentuan ndikim politik të drejtpërdrejtë brenda KQZ-së, ku anëtarë të caktuar vepronin në mbrojtje të interesave të subjekteve që i kishin nominuar, në vend se të mbanin qëndrim të pavarur dhe profesional. Kjo është konsideruar si cenim i integritetit institucional dhe ndërhyrje në vendimmarrjen e trupës teknike të KQZ-së, duke zbehur ndarjen e qartë ndërmjet nivelit politik dhe atij ekzekutiv brenda administratës zgjedhore.
“Vëzhguesit e (MVZ-ja) BE-së identifikuan raste të ndikimit politik në procesin e vendimmarrjes së KQZ-së, ku anëtarët individualë vepronin si mbrojtës të interesave të subjektit të tyre që i kanë emëruar, duke kompromentuar pavarësinë dhe paanshmërinë e KQZ-së. Modele të tilla u demonstruan gjatë certifikimit të kandidatëve zgjedhorë, miratimit të shpërndarjes së fondeve publike për partitë politike dhe emërimit të organeve të nivelit më të ulët. Vëzhguesit vunë në dukje më tej tendencat e përsëritura të përbërjes aktuale të KQZ-së për të interpretuar gjerësisht kompetencat e saj dhe për të vepruar jashtë mandatit, duke zgjeruar autoritetin e saj vendimmarrës dhe duke ndërhyrë në detyrat e Sekretariatit dhe Zyrës së KQZ-së. Kjo u lehtësua nga mungesa e qartësisë në disa dispozita të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, shkruan në raport.
Përveç një praktike më të fortë në performancën e anëtarëve, në raport konstatohet se pavarësia e KQZ-së mund të rritet nëpërmjet forcimit të masave që rregullojnë sjelljen e tyre, “duke i përcaktuar qartë kompetencat e KQZ-së dhe duke i kufizuar ato në dobi të Sekretariatit të KQZ-së dhe organeve zgjedhore të nivelit më të ulët”.
“Grupi i profesionistëve nga të cilët subjektet emëruese zgjedhin anëtarësinë e KQZ-së mund të zgjerohet gjithashtu, me qëllim kufizimin e përkatësisë politike. Rekomandim parësor është forcimi i mbrojtjeve ligjore në lidhje me anëtarësimin dhe sjelljen e zyrtarëve zgjedhorë për të siguruar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore”, shkruan në raport.
Raporti përshkruan edhe problemet me rezultatet preliminare të cilat ndikuan në besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve.
“Natën e zgjedhjeve, sistemet kritike të IT-së të KQZ-së nuk ishin të disponueshme për një periudhë të gjatë, duke ndikuar në nxjerrjen dhe publikimin e rezultateve paraprake dhe në marrjen e materialeve zgjedhore në qendrat komunale të numërimit. Për shkak të problemeve të vazhdueshme teknike, përgatitjes së pamjaftueshme teknike të qendrave të numërimit dhe mungesës së pajisjeve dhe softuerëve kritikë, numërimi i votave preferenciale në qendrat e numërimit komunal u shty, me disa qendra që nuk filluan deri më 16 shkurt. Pasi u kapërcye konfuzioni fillestar mbi procedurat, i dukshëm në shumicën e qendrave, performanca e ekipeve të numërimit, si dhe procesi, u vlerësuan përfundimisht si kryesisht efikase dhe transparente nga vëzhguesit”, shkruan aty.
“Disa raste të rivlerësimit të vlefshmërisë së fletëvotimeve nga ekipet e numërimit u raportuan nga shumica e qendrave të numërimit komunal, duke treguar kuptim të pamjaftueshëm të këtyre rregullave nga komisionet e qendrave të votimit dhe ofrim të pamjaftueshëm të trajnimit. Pengesa teknike në sistemin e përpunimit të rezultateve, të kombinuara me informacion të kufizuar ose ndonjëherë të pasaktë të ndarë nga KQZ-ja, dëmtuan ndjeshëm besimin e publikut në integritetin e procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve, si dhe ngritën shqetësime në lidhje me masat e sigurisë kibernetike të KQZ-së”.
Për t’i shmangur këto probleme, rekomandohet të krijohet një sistem i besueshëm dhe transparent i menaxhimit të rezultateve me procedura të qarta dhe të verifikueshme për të siguruar përpunimin e saktë të të dhënave të rezultateve.
“Të krijohet një sistem i besueshëm dhe transparent i menaxhimit të rezultateve me procedura të qarta dhe të verifikueshme për të siguruar përpunimin e saktë të të dhënave të rezultateve. Të sigurohet qasje e shpejtë në rezultatet preliminare, duke përfshirë të gjitha të dhënat përkatëse, si p.sh. pjesëmarrja e votuesve, votat e vlefshme dhe të pavlefshme, si dhe formularët e rezultateve të skanuara për vendvotim”, konstatohet në raport.
Përveç aspektit teknik, në raport konstatohet edhe mungesa e debatit kuptimplotë mes kandidatëve, ndërhyrjet e huaja nga Serbia dhe SHBA-ja, sulmet seksiste dhe mungesa e burimeve për gratë kandidate, çka dëmtoi më tej cilësinë e fushatës zgjedhore.
Si një prej 19 rekomandimeve që përmenden në raport është edhe realizimi i një auditimi të pavarur e gjithëpërfshirës të listës së votuesve.
Të enjten e shkuar raporti i është dorëzuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili priti në takim shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë 2025, Nathalie Loiseau.
Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e misionit të BE-së në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe ka theksuar rëndësinë e rekomandimeve të raportit për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve demokratike në vend.
Po ashtu, Kurti ka folur për ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor. Ai ka përmendur përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si “RT Balkans” dhe “Sputnik Srbija” që, sipas tij, kanë shpërndarë mbi 60 artikuj me synim manipulimin e komunitetit serb në Kosovë.
Me ftesë të autoriteteve të Kosovës, EU EOM operoi në Kosovë nga 8 janari deri më 27 shkurt 2025, dhe iu bashkua një delegacioni për vëzhgimin e zgjedhjeve nga Parlamenti Evropian.