Sezoni turistik i këtij viti në Malin e Zi ka shënuar një rekord të ri për nga numri i turistëve në Mal të Zi, ndërsa të ardhurat llogariten mbi 1 miliard euro, shkruan TRT shqip.
Bregdeti i Malit të Zi, është i bukur dhe mjaft tërheqës për mysafirët. Ky bregdete është si në vargjet e Bajronit, i cili gjatë vizitës në Ballkanin e fillim shekullit të nëntëmbëdhjetë e përshkroi këtë pjesë të Adriatikut “Pikëtakimin më të bukur midis tokës dhe detit”. Turistët janë të shumtë, sezoni i këtij viti është shpallur sezon rekord. Shoqata e turizmit e Malit të Zi thotë se numri i mysafirëve ka pësuar një rritje për 10% e pritet që të ardhurat të jenë afër 1 miliard euro. Vlerësime të ngjashme jep edhe Ministria e Turizmit, mirëpo ajo pret të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore Turizmi është dega kryesore edhe për qytetin e Ulqinit. Drejtori i Organizatës Turistike Fuad Haxhibeti i pyetur që të komentojë rezultatet e sezonit turistik thotë se në “Ulqin numri i mysafirëve këtë vit ka pësuar një rritje prej 20% dhe kemi të bëjmë me një sezon rekorde ku të gjithë kanë arsye që të jenë të kënaqur”.
Ulqini gjithnjë e më i preferuar për turistët nga vendet e Ballkanit dhe Evropa Perëndimore
Sipas tij viteve të fundit ka rënë miti i turizmit patriotik e në qytetin e Ulqinit gjithnjë e më shumë po shënon rritje numri i mysafirëve nga vendet e Ballkanit, por edhe mysafirë nga Evropa Perëndimore. Sipas tij “gjithnjë e më shumë vërehet një interesim i mysafirëve nga Turqia të cilët këtë verë kanë qenë të shumtë në numër në kuadër të udhëtimeve në shtete të ndryshme të Ballkanit. Andaj, tërheq vëmendjen z. Haxhibeti ne duhet të punojmë më shumë për te tërhequr turistët nga Turqia”. Ai po ashtu thotë se “fokusi kryesore i turistëve është Riviera e Ulqinit, por ne jemi duke përdorur një filozofi të re duke e promovuar dhe nxitur turizmin e qëndrueshëm dhe turizmin kulturor. Duke u ndalur tek ky i fundit z.Haxhibeti veçon se Organizata Turistike, pranë Muzeut në Kalanë e Ulqinit apo në vende të tjera historike ka organizuar dhjetëra shfaqe dhe programe të veçanta. Krahas kësaj shton ai Ulqini ka një natyrë të bukur dhe ofron një gamë të gjerë biodiversiteti që e bëjnë atë unik në rajon.
Investimet në infrastrukturë në shërbim të lehtësimit të qarkullimit të turistëve në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan
Turizmi është sektor primar për ne dhe ai duhet të jetë përherë në qendër të vëmendjes, veçon z. Haxhibeti. Ai përshëndet fillimin e punimeve në pikën kufitare Sukobinë–Muriqan, që lidh Malin e Zi me Shqipërinë, dhe modernizimi i saj do të mundësojë lëvizjen më të lirë dhe më të shpejtë të turistëve nga Shqipëria, Kosova, etj.
Ulqini në kërkim të investitorëve të huaj në fushën e turizmit
Me rëndësi të veçantë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në qytetin e Ulqinit, janë investimet nga ana e investitorëve të huaj. Marrja në pronësi e Rivierës së Ulqinit për 30 vjet nga ana e Kompanisë “Karisma Hotels Resorts”është për t’u përshëndetur sepse “investimi prej mbi 16 milion euro i paralajmëruar se do të mundësojë riparimin e hoteleve, zgjatjen e sezonit turistik dhe punësimin e të rinjve vendas”.
Një ndihmesë të madhe në ardhjen e mysafirëve, sipas drejtorit të Organizatës Turistike të Ulqinit z. Fuad Haxhibeti ka promovimi i bregdetit dhe pjesëmarrja në panairet e turizmit. “Deri në fund të këtij viti kalendarik ne do të jemi të pranishëm në Panairin e Novi Sadit dhe atë të Varshavës”. Ndërkaq edhe gjatë tërë vitit të ardhshëm organizata jonë turistike së bashku me organizatën nacionale dhe Ministrinë e Turizmit do të prezantojë ofertën turistike dhe në shumë qendra të tjera në rajon dhe në Evropën Perëndimore.
{gallery}