Arbëri

Mali i Zi kërkon ndihmën e Interpolit për të arrestuar personin që kërcënoi me jetë Abazoviqin

Policia e Malit të Zi ka kërkuar ndihmën e Interpolit për arrestimin e një personi nga Rozhaja, me inicialet R.Sh., i cili ka kërcënuar me jetë liderin e koalicionit URA, shqiptarin Dritan Abazoviq.

Abazoviq është kërcënuar dje përmes rrjeteve sociale dhe meqë, personi që e ka bërë këtë jeton jashtë vendit, Policia ka kërkuar ndihmën e Interpolit, shkruan të enjten CDM.

Mediat në Mal të Zi shkruajnë se 63-vjeçari që ka kërcënuar jeton në Suedi.

“Abazoviq, nëse vazhdon të shoqërohesh me çetnikët, do të vritesh (mos e bëj Zot), por kjo të pret”, ka shkruar ndër të tjera personi që kërcënoi.

URA e Abazoviqit është pajtuar të jetë pjesë e qeverisë së re të Malit të Zi, që do të udhëhiqet nga Zdravko Krivokapiq, lider i koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”. Pjesë e qeverisë pritet të jetë edhe Aleksa Beçiq, lideri i koalicionit “Paqja është kombi ynë”.