Bardhyl Mahmuti nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë plagë e hapur”, ka thënë se nuk është bërë mjaftueshëm punë për të njoftuar ndërkombëtarisht qoftë institucionet shkencore apo politike për atë që është përjetuar në Kosovë.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Mahmuti ka thënë se tash e pesë vjet nuk manifestohet e as nuk shënohet dita e gjenocidit në Kosovë, madje nuk ka as monument e as simbol të tij.
“Çështja e nismave për të ndërkombëtarizuar një akt të gjenocidit është çështje që lidhet edhe nga kontekstet politike. Nuk e kemi bërë punën që të njoftojmë ndërkombëtarisht të gjitha institucionet me rëndësi qoftë shkencore apo politike për atë që e kemi përjetuar si popull. Që pesë vjet ne nuk e manifestojmë ditën e gjenocidit, nuk e shënojmë këtë ditë, nuk mbajmë mbledhje komemorative për ta përkujtuar këtë ditë, nuk e kemi monumentin e as simbolin e gjenocidit. Nuk e kemi as muzeun e gjenocidit”, ka thënë ai.
Ai ka akuzuar edhe sistemin e drejtësisë për “gabime kardinale” rreth proceseve gjyqësore që po organizohen, pasi sipas tij, nuk duhet të ketë akuza për krime lufte por për gjenocid.
“Duke pasur parasysh mungesën e madhe të koherencës që na ka karakterizuar në punën e deritanishme nuk është vonë, sepse nëse përshpejtohen gjërat e të bëhen shkel e shko, procesi humbet. Pa harmonizimin e tërësishëm të terminologjisë shkencore që duhet të përdoren, njerëzit në mënyrë të pavetëdijshme mund të bëhen argatë të dreqit dhe të hyjnë në ingranazhet e atyre çarqeve që i mohojnë krimet e gjenocidit në Kosovë”, është shprehur ai.