Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mahmuti: Duhet kohë që serbëve t'u hiqet urrejtja e ngulitur për shqiptarët

Autori shqiptar Bardhyl Mahmuti, thotë se në librin “Kronikë e një kasaphane” është munduar të ofrojë dëshmitë për gjenocidin e kryer nga shteti serb në Kosovë.

Mahmuti në një intervistë për emisionin “60 Minuta” ka thënë se gjenocid kanë përjetuar edhe hebrenjët, por ai është dokumentuar nëpër mijëra romane, vepra letrare, filma dokumentar e artistik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Për çfarë arsye një tragjedi aq e rëndë e përjetuar nga populli shqiptar nga shteti i Serbisë të mos gjejë hapësirën e nevojshme në art. Pas veprës shkencore ‘Mashtrimi i Madh’ i jam kthyer letërsisë, jam munduar të nxjerri atë tragjedi të popullit shqiptar. Arti është formë që mundëson të nxjerrësh kontekste të ndryshme, të ndërlidhësh ngjarje të ndryshme, të bësh sintezë pa dëmtuar thelbin e ngjarjes. Këtë roman e kam shkruar për të gjitha shtresat”, tha Mahmuti, që ishte ish-pjesëtar i UÇK-së.

Ai ka treguar se personazhi në roman është real, një gazetar serb që ka përjetuar tmerre nga pushteti i Millosheviqit vetëm se kishte ngritur zërin nëpër mediat ndërkombëtare për gjenocidin që po ushtrohej në Kosovë.

“Ai kishte denoncuar me emër e mbiemër të vetë të gjitha krimet që bëhen në Kosovë. Është i lindur dhe jeton në Kralevë dhe ka pasur mundësi të ketë dëshmi të shumta nga njerëzit që kanë bërë krime në Kosovë dhe rrëfimet e atyre i ka transmetuar edhe nëpër opinion publik ndërkombëtar. Janë një numër të shkrimeve në gazetën franceze Liberacion, apo gazeta tjera, që i shpërfaq. Ai u dënua me shtatë vjet burg për këtë arsye”, tha Mahmuti.

Ai ka përmendur edhe rastin e gazetarit opozitar serb Slavko Çuruvija që ishte vrarë më 11 prill të vitit 1999.

“Është dëshmuar se ka pasur njerëz të guximshëm se para asnjë presioni nuk janë dorëzuar dhe kanë sakrifikuar edhe jetën për të mbrojtur një të vërtetë. Nuk kanë dashur të bëhen pjesë e propagandës së udhëhequr atëbotë nga Aleksandar Vuçiq, presidenti i tashëm i Serbisë. Pikërisht Vuçiq në atë kohë luante rolin e Gebelsit të propagandës së Millosheviqit”, tha Mahmuti.

Mahmuti thotë se nuk e di se sa gjatë do të zgjasë ajo urrejtje që u është mbjellë shoqërisë serbe ndaj shqiptarëve, kroatëve e myslimanëve në Bosnjë.

Ai ka thënë se derisa Serbia ka shkruar me mijëra libra, e i ka përkthyer në gjuhë të rëndësishme të skenës politike ndërkombëtare e i ka shpërndarë nëpër biblioteka nëpër botë, për të përhapur propagandën e saj, në Kosovë nuk është bërë sa duhet për të dëshmuar gjenocidin që u krye nga shteti serb.

“Secili intelektual të mendoj në vetvete a ka mundur të kontribuojë më tepër në ndriçimin e gjenocidit në Kosovë. Secili duhet ta dijë se çfarë ka mundur të bëjë me potencialin profesional që ka, për të hedhur dritë mbi këtë krim” , tha Mahmuti.

Ai ka thënë se ka munguar përkrahja financiare nga shteti për intelektualët . Ndërsa thotë se efektet e propagandës serbe kanë gjetur terren për shkak të neglizhencës së gjithë

Mahmuti ka folur edhe për rastin e ish-senatorit zviceran Dick Marty, ku u raportua se jeta e tij po kërcënohet nga shërbimi sekret serb.

“Unë e kam përcjellë e kam pasur kontakt me gazetarin që ka bërë intervistë ekskluzive me Dick Martyn. Marty ka qenë i kontaktuar nga shërbimi policor federal i Zvicrës ata e kanë njoftuar se jeta e tij është në rrezik. Në tërësi propaganda serbe vazhdon. Propaganda serbe ishte intensivisht e angazhuar për ta paraqitur Martyn si njeri të afërt të Serbisë. Që nga viti 2018, ka pasur propagandë intensive për të përgatitur opinionin për Martyn, që kur kryhet aksioni, opinion publik ndërkombëtar të mos ketë dyshim se prapa aksionit terrorist qëndrojnë shqiptarët. Marty tha se kur e kam dëgjuar në mënyrë të natyrshme kam menduar se e kanë bërë shqiptarët. Propaganda serbe vihet në shërbim të përgatitjes së opinionit publik”, tha Mahmuti.

Ai u ka bërë thirrje politikanëve në Kosovë të lënë “shpatat” njëanë dhe të punojnë për të nxjerrë përfitime në interes të qytetarëve.

“Tash për tash e shoh se vazhdon logjika që njeri njëri i bjen thumbit, e tjetri patkoit”, tha Mahmuti, ndërsa kritikoi tërheqjen e diplomatëve të suksesshëm kosovarë nga Perëndimi.