Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Macron uron Kosovën në 11 Vjetorin e Pavarësisë, kërkon të mënjanohen pengesat për dialogun

Foto: Presidenca e Kosovës / Arkiv

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre dërguar presidentit Hashim Thaçi, e ka uruar Kosovën për 11 Vjetorin e Pavarësisë.

Që nga viti 2008, presidenti Macron shkruan se dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie të bazuar në besim.

“Franca qëndron në krah të Kosovës në mbështetje të afirmimit të saj të plotë në skenën ndërkombëtare”, thuhet në letrën e presidentit Macron, siç transmeton zyra për informim e Presidencës.

LEXOJENI EDHE KËTË

Trumpi uron 11 vjetorin e Pavarësisë, rithekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

Sa i përket situatës në Ballkan, Macron në letrën e tij ka ritheksuar se mbështet përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që është thelbësore për stabilizimin e qëndrueshëm të rajonit.

“Franca shpreson se pengesat për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mënjanohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në letrën e presidentit Macron.

Edhe Macron: Presim heqjen e taksës nga Kosova dhe ndaljen e fushatës për çnjohje nga Serbia Arbëri Macron: Presim heqjen e taksës nga Kosova dhe ndaljen e fushatës për çnjohje nga Serbia

Kjo është letra e plotë e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dërguar presidentit Thaçi:

I nderuari President,

Me rastin e Festës Kombëtare të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju dërgoj, në emrin tim dhe në emër të popullit francez, urimet e mia të sinqerta.

Që nga viti 2008, dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie të bazuar në besim. Siç e dini, Franca qëndron në krah të Kosovës në mbështetje të afirmimit të saj të plotë në skenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, dëshiroj t’ju përgëzoj për avancimin e vendit tuaj në statusin e anëtarit të asociuar të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në Samitin e Jerevanit, më 11 dhe 12 tetor të vitit të kaluar.

Sa i përket situatës në Ballkan, unë mbështes përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është thelbësore për stabilizimin e qëndrueshëm të rajonit. Franca shpreson se pengesat për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mënjanohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ne, gjithashtu, mbështesim agjendën e reformave evropiane, në veçanti reformat që kanë për qëllim vendosjen e sundimit të ligjit dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit tuaj. Dëshmi e angazhimit të Francës në këtë fushë është Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), e cila do të jetë e pranishme së shpejti në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë.

Duke ripërtërirë urimet e mia të ngrohta, ju lutem pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës time më të lartë.

Edhe Rubio premton bashkëpunim më të fortë me Kosovën në të ardhmen. Macron përmend dialogun LAJMET E MBRËMJES Rubio premton bashkëpunim më të fortë me Kosovën në të ardhmen. Macron përmend dialogun

Emmanuel MACRON

KLIKONI KËTU PËR LETRËN E MACRONIT NË PDF