Arbëri

Liderë evropianë urojnë Osmanin për Ditën e Pavarësisë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë.

Macroni në letrën e tij ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet për sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.

“Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor [...] Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka thënë Presidenti Macron.

Macroni ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se presin që të dy vendet të angazhohen plotësisht për normalizimin e marrëdhënieve. Ai ka shtuar se është thelbësore që të rifillojnë bisedimet.

“Është gjithashtu thelbësore të rifillojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili është një element qendror për perspektivën evropiane të dy vendeve dhe për sigurimin e stabilitetit të rajonit dhe kontinentit evropian. Presim që të dy vendet të angazhohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Macroni.

Shkarko dokumentin


Mattarella uron Osmanin: Italia e mbështet bindshëm integrimin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi në 15-vjetorin e Pavarësisë nga presidenti italian, Sergio Mattarella.

Në letrën e tij, presidenti Mattarella ka uruar presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve.

“Konteksti aktual evropian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Mattarella.

Image

Mbreti Charles III uron Kosovën për 15-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar të enjten letër urimi për 15-vjetorin e Pavarësisë nga Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Në letrën e tij, Charles III ka thënë ndër të tjera se pret vazhdimin e miqësisë dhe partneritetit mes dy vendeve.

“Dëshiroj t'i shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë të veçantë për vendin tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë. Pres me padurim vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve tona, gjersa po përballemi me këto kohë sfiduese", thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III.

Image


Steinmeier uron Osmanin: Qëllimi jonë i përbashkët – integrimi i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Në letrën e tij, presidenti Stenimeier ka përmendur angazhimin e Kosovës për vlera evropiane dhe në këtë kontekst ka vlerësuar partneritetin në raport me luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.

“Jam i lumtur që vitin e kaluar gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Berlin me nënshkrimin e tre marrëveshjeve rajonale të mobilitetit mundëm të arrijmë një sukses dhe të hedhim një hap të mirë përpara për krijimin Tregut të Përbashkët Rajonal domethënës për zhvillimin ekonomik të rajonit. Qëllim i përbashkët i Kosovës dhe Gjermanisë mbetet integrimi i vendit tuaj në bashkësinë ndërkombëtare. Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Kosovës”, ka theksuar në letër presidenti Steinmeier.

Sipas tij, dialogu me Serbinë, i udhëhequr nga BE-ja mbetet një sfidë thelbësore për vendin për normalizimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve.

“Gatishmëria e të dyja palëve për një bashkëpunim konstruktiv dhe një bashkëjetesë paqësore mbetet esenciale për rrugën drejt BE-së. Në këtë rrugë ju mund të jeni të sigurt që e keni mbështetjen e Gjermanisë si partnere e besueshme e Kosovës”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Steinmeier dërguar Presidentes Osmani.

Image