Sulmi i forcave ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve në veri të Sirisë është përshëndetur e festuar me “lutje të fitores” në xhaminë e “Sinan Pashës” në Prizren.
Kësaj lutjeje i janë bashkuar krerë të bashkësisë islame, imamë, ushtarë turq të KFOR-it dhe ambasadorja turke në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç.
Ky aktivitet u organizua nga Bashkësia Islame dhe Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë.
Të mërkurën mbrëma këtu në xhaminë Sinan Pasha në Prizren, u organizuan “lutjet e fitores”, siç i kanë quajtur për trupat ushtarake të Turqisë, të cilat po luftojnë kundër kurdëve në territorin e Sirisë. Kjo lutje u drejtua nga imami i kësaj xhamie. Ekipi i KTV-së nuk është lejuar fare të xhirojë brenda hapësirave të kësaj xhamie.
Imam i xhamisë “Sinan Pasha” është Mustafa Tombash nga Turqia, i cili gjatë ditës nuk ka qenë fare në këtë xhami.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme për lutjen që u zhvillua në këtë xhami.
Edhe
BIK-u mohon të ketë organizuar “Lutjen e fitores”, ajo u organizua nga Ambasada turke
Organizatorët e “lutjes së fitores” nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për këtë.
Udhëheqës të Bashkësisë Islame të Prizrenit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të KTV-së për të marrë një qëndrim të tyre. Kryetari KBI-së në Prizren, Besim Berisha, e as sekretari Orhan Bislimaj, kanë qenë të pakontaktueshëm. Madje, ata nuk kanë qenë as në vendin e tyre të punës.
As në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk kanë pranuar të flasin. Kryemami Sabri Bajgora dhe zëdhënësi i këtij institucioni, Ahmet Sadriu, nuk kanë dhënë përgjigje nëse ky organizim u bë edhe me leje të Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Lutjen e fitores” nuk e ka komentuar as Qeveria e Kosovës. Në një përgjigje për KTV-në, qeveria thotë se është kundër çdo nxitjeje të urrejtjes.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin kudo në botë dhe kundër çdo nxitjeje të urrejtjes dhe përfshirjes së shtetasve të Kosovës, në konfliktet jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen nga zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Më 20 janar, ushtria turke filloi operacionin ushtarak në rajonin Afrin të Sirisë.
Edhe
Kiliç ka mohuar se “lutja e fitores” në Prizren pati qëllim të manipulojë besimtarët
Ky rajon banohet nga komuniteti kurd, derisa Ankaraja beson se në atë territor është edhe baza e militantëve kurdë.
Turqia ka thënë se militantët kurdë janë pjesë e një grupi terrorist që kërcënon sigurinë e saj.