Që nga viti 2016, prej kur ka nisur të ndërtohet lagjja “Lugina e Diellit” në Zveçan, asnjë qeveri deri më tash nuk ka arritur t’i ndalë punimet e saj, të cilat janë bërë e po bëhen pa leje ndërtimi. Njëjtë, as qeveria aktuale nuk ka shpalosur plan veprimi për lagjen ilegale në veri, për të cilën nuk kanë pranuar të përgjigjen nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Punimet janë gati në përfundim dhe së shpejti një lagje në Komunën e Zveçanit pritet të jetë e banueshme. Me financim të Serbisë, në kundërshtim me ligjet e Kosovës, lagjja është ndërtuar për t’i kthyer mbi 1500 serbë.
Hapësira prej rreth 20 hektarësh ka marrë emrin Lugina e Diellit. Që nga viti 2016 kanë nisur punimet për ndërtimin e një lagjeje me 300 njësi banesore, me çerdhe, kishë e objekte përcjellëse. Ndonëse punimet janë në përfundim kjo lagje nuk ka leje për ndërtim nga Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ky ndërtim është ilegal bazuar në ligjet e Kosovës, por deri më tash asnjëra qeveri nuk ka arritur t’i ndalë punimet apo të nxjerrë raport për gjendjen e ndërtimit atje.
As qeveria aktuale, respektivisht Ministria e Mjedisit, deri më tash nuk ka njoftuar të ketë marrë veprime ligjore apo edhe politike rreth kësaj lagjeje.
Madje, nga Ministria ka tri ditë që nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Kohës lidhur me këtë çështje.
Qasja e shtetit të Kosovës ndaj kësaj situate po shihet si diskriminuese për shqiptarët e lagjes “Kroi i Vitakut”, të cilëve që nga paslufta shteti nuk ua ka mundësuar kthimin në pronat e tyre.
“Unë më 2016 kam fillu me ndërtu shtëpinë dhe zyrtarë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me bexha të Republikës së Kosovës, inspektorë të ndërtimit, vijshin dhe kërkojshin me u ndërpre puna jonë në mënyrë institucionale nga Republika e Kosovës, edhe pse i kishim dokumentet edhe të gjitha që shtëpia ka qenë këtu dhe është e djegur”, është shprehur Betim Osmani, qytetar i Mitrovicës së Veriut.
Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale thotë se në këto rrethana nuk ka trajtim të barabartë të qytetarëve nga shteti.
“Njësoj si serbëve ashtu edhe shqiptarëve duhet t’u respektohet e drejta e kthimit të tyre në shtëpitë e tyre dhe shfrytëzimi i papenguar i pronës private. Domethënë e drejtë kjo e patjetërsueshme dhe njëra ndër të drejtat më elementare të njeriut”, është shprehur Arsim Rashiti nga ky institut.
Në vitin 2016, Inspektorati i Ministrisë kishte tentuar të njoftohej nga afër me situatën, duke i kërkuar Drejtorisë së Urbanizmit në Zveçan dokumentacionin në bazë të të cilit është dhënë leja e ndërtimit, por Inspektorati është injoruar tërësisht.
Për mosbindje të Drejtorisë, Ministria kishte dërguar lëndë për kundërvajtje në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, por e njëjta është parashkruar.