Derisa tri familje të premten i rivarrosën të dashurit e tyre të zhdukur gjatë luftës, në pritje të zbardhjes së fatit të të afërmve të tyre janë edhe disa të tjera. Për ta lufta ende nuk ka përfunduar, meqë mbahet e gjallë në kujtesë të tyre
27 vjet pas luftës, Naxhie Dushi e rivarrosi djalin e axhës, Masarin, porse ende nuk e di gjë për fatin e vëllait të saj, Nazmiut.
Ai qe 26 vjeç kur u zhduk me dhunë nga forcat serbe dhe ende mbetet i pagjetur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE motra Naxhia thotë se ankthi i pritjes prej afro tri dekadash ka qenë shumë i vështirë për familjen.
“Shpesh si motër e tij qaj me zë, po kam nevojë ta di të paktën eshtrat e tij, të paktën ta qaj e të bisedoj me të sikur kam biseduar dikur kur ishte gjallë, kur ishte në jetë. Sepse e kam pasë një shok të mirë vëllain tim dhe më kujtohen ato ditë se gjithmonë, çdo gjë që kam pasë në jetë veç me të e kam nda. E tash është kah më mungon shumë. Nëse i gjejmë eshtrat e tij, të paktën të vij dhe të qaj me të bashkë”, u shpreh Naxhie Dushi.
Dhimbjen e njëjtë e ndan edhe motra tjetër, Remzija, që shpreh pikëllim se prindërit e saj vdiqën me mallin për fëmijët.
“Këtë dhimbje deshta ta shtoj se më kanë ndërru jetë prindërit, me mall të vëllezërve që na shkuan. Thojke bile ta kisha ditë varrin ku e ka, një lule t’ua qojmë. E sot unë po them se e gjetëm Masarin, po tash na ka mbetë edhe Nazmia që të paktën një ditë ta dimë edhe varrin e tij. Mirëpo dhimbja më e madhe se prindërit, axhallarët e gratë e axhallarëve kanë shku me mall të tyre se nuk kanë ditë ku e kanë varrin”, tha Remzie Dushi.
Rivarrosja në Klinë e mbetjeve mortore të tre martirëve, 27 vjet pas masakrës së Kralanit, u solli lehtësim sado të vogël familjarëve.
“Pa dyshim që është dhimbje por më në fund pasi ky ankth përfundoi, megjithatë shpresoj që tash ndihem pak më lehtë se ndodhi qysh ka ndodhë, prandaj edhe pavarësisht prej tyre, më në fund përfundoi ajo. Pushojnë të qetë në dheun e Kosovës së lirë, kështu që po shpresojmë që e ardhmja është e sigurt bazuar në sakrificën e këtyre njerëzve që sot iu dhamë lamtumirën e fundit”, u shpreh Musli Mazreku, nip i Masar Dushit.
Kufomat e mijëra civilëve të vrarë gjatë luftës janë marrë nga forcat serbe me qëllim të fshehjes së krimeve dhe janë dërguar në vende të panjohura.
Shumë prej tyre janë gjetur në varreza masive në Serbi. E edhe mbi 1 mijë e 500 të tjerë rezultojnë të zhdukur.