Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lubonja: Në situatën mes Bashës e Berishës, Edi Rama ka rolin kryesor

Analisti Fatos Lubonja ka thënë se kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, i ka interesuar situata e krijuar brenda Partisë Demokratike. Ai ka thënë se ka përçarje të PD-së e cila për pasojë ka dobësimin e opozitës.

Në Interaktiv të KTV-së, Lubonja ka thënë se Ramës i është dashur një opozitë për ta krijuar një situatë ku Shqipëria të duket si vend normal.

“Ai (Edi Rama) ka rolin kryesor, rolin e regjisorit të gjithë kësaj që ka ndodhur, sepse Shqipëria ka pasur një situatë ku opozita deri ca kohë më herët ka qenë bashkë me Bashën e Berishën e tjerët, kanë qenë me opsionin që Shqipëria nuk është vend normal, ku mund të fitohen zgjedhjet, mund të ketë rotacion nëpërmjet zgjedhjeve sepse kemi të bëjmë me një regjim që është kapur nga një parti e vetme që punon sistematikisht për të kapur të gjitha institucionet, dhe ka arritur të kapë drejtësinë, kontrollon ekonominë komplet, mediat pothuaj 90 përqind dhe shoqërinë civile e ka kthyer në ingranazhet e veta. Ka një angazhim, lidhje të fortë me krimin e organizuar e cila s’ka nevojë për opozitën, por ka nevojë për policinë për të lulëzuar. Këta faktorë kanë krijuar një situatë ku nuk fitohet me zgjedhje të lira por duhen politika më të forta dhe Shqipëria pra nuk është vend normal. Edi Ramës nuk i ka interesuar kjo dhe i është dashur një opozitë që të krijojë fasadën e normalitetit, për arsye tjera është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët ky lloj normaliteti. Pas zgjedhjeve të 25 prillit derisa opozita premtonte fushatë për denoncimin kundër masakrës zgjedhore siç e quajti me Bashën në krye, shohim një situatë ku shpallet non grata Berisha. Kemi përçarje të PD-së. Kjo i ka interesuar Edi Ramës”, ka thënë Lubonja.