Nexhat Llumnica nga Sindikata e Korporatës Energjetike të Kosovës ka thënë se punëtorët e KEK-ut punojnë në rrezikshmëri të lartë e se si pasojë e punës së tyre vetëm më 2019 rreth 20 persona kanë vdekur prej sëmundjeve që dyshohet se i marrin gjatë punës.
Në Express Intervistën në KTV, Llumnica ka shpjeguar edhe një fotografi të një punëtori të KEK-ut, e që ka qarkulluar shumë këto ditë në Facebook. Aty shihet punëtori në një gjendje tejet të rrezikshme në mesin e shumë gypave.
“Ky punëtor është në kalldajën e termocentralit Kosova A. Këso raste ka të shumta. Punëtorët me këtë rrezikshmëri punojnë sepse ka rrjedhje në ato gypa. Në ata gypa që po shihen dhe punëtorët domosdoshmërish duhet të hyjnë të evitojnë rrjedhjet. Si pasojë e kësaj vetëm më 2019 si pasojë kemi pas rreth 20 punëtorë të vdekur prej sëmundjeve që dyshohet se i marrin gjatë procesit të punës, kryesisht sëmundje kancerogjene”, ka thënë ai.
Sipas Llumnicës, rreziku nga lëndimet në KEK është shmangur dukshëm, por punëtorët s’mund t’u ikin sëmundjeve që mund t’i marrin gjatë procesit të punës.
“Rreziku nga lëndimet është shmangur dukshëm sepse së fundmi s’kemi shumë lëndime si në të kaluarën. Kemi pësuar 43 aksidente fatale që nga paslufta, rreth 4000 lëndime deri më tani. Duke u bazuar edhe në lëndime të KEDS-it si pjesë e Korporatës Energjetike, por kohëve të fundit kemi bë një qendër të trajnimeve që i trajnon punëtorët e lëndimet janë zvogëluar, por s’mund t’u ikin sëmundjeve që ua bart mjedisi i punës. 80 për qind e vendeve të punës janë të tilla. Kryesisht janë të njëjta”, ka thënë ai më tej.
Edhe
Llumnica: Për një vit, 20 punëtorë të KEK-ut vdiqën nga kanceri
Sa i përket pagave të punëtorëve të KEK-ut, Llumnica ka thënë se ata paguhen për punën jashtë orarit, për orarin e natës, por s’kanë kompensime të veçanta për rrezikshmërinë në punë.
“Për këta punëtorë s’mund të ketë paga të mira asnjëherë, por duke u bazuar në standardin e jetës në Kosovës s’mund të themi se jemi dobët. Por secili punëtor i sektorit publik s’ka dëshirë të punojë në kushtet që punon punëtori i KEK-ut edhe po të marrë atë pagë”, ka shtuar Llumnica.
Ai ka thënë se Ligji për Paga është antikushtetues pasi, sipas tij, neni 27 kufizon pagën e punëtorët për orët shtesë e në KEK ka thënë se punohet me ndërrime dhe 24 orë. Sipas tij, nëse ky ligj hyn në fuqi, punëtorët e KEK-ut s’do të mund të përfitojnë më nga beneficionet e deritashme për punë jashtë orarit e ato gjatë ndërrimit të natës.
Ka thënë se deputetët këtë ligj e kanë bërë pa dalë për të shikuar fare natyrën e punës.
Edhe
Llumnica: Ekspertët e sigurisë në KEK shpesh nuk japin alarmin për rrezikun në punë, kanë frikë
Llumnica është ankuar edhe për sigurimet shëndetësore. Ka thënë se në një rast, një kompani private e sigurimeve, i ka thënë një punëtori që ka kërkuar 12 mijë euro për operim në këmbë, “se me 12 mijë euro ta blejmë krejt këmbën”. Sipas tij, KEK-u do të bëjë ankesë për rastin.
Ai ka thënë po ashtu se në disa raste kanë hasur në mungesë të veshmbathjeve dhe ka kërkuar që të gjendet një mënyrë për të mos pasur mungesa të tilla më.