Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Llumnica: 35 punëtorë të KEK-ut humbën jetën si pasojë e kushteve të rënda të punës gjatë vitit 2021

Foto: Driton Paçarada / Koha

Vetëm gjatë vitit të kaluar 35 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë humbur jetën si pasojë e kushteve të rënda të punës.

Ndërsa 90 për qind e punëtorëve vazhdojnë të kenë probleme shëndetësore. Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica.

Kushtet e punës thotë se janë të rënda, ndërsa aplikimi i masave mbrojtëse nuk mund t’i rezistojë gazrave helmuese.

“Në KEK ka shumë punëtorë të cilët janë me probleme shëndetësore për arsye se natyra e punës është e tillë, edhe përkundër aplikimit të masave mbrojtëse nuk mund t’i ruhet gazrave helmues dhe pluhurit, dhe dridhjeve që ekzistojnë aty. Kështu që vetëm në vitin 2021 kemi pasur 35 raste të vdekjes së punëtorëve, ende pa u pensionuar. Të gjithë pothuajse 90 për qind që janë sëmundje që dyshojmë se merren gjatë procesit të punës për arsye se shumica e tyre janë kancerogjene që kuptohet gazrat helmues i sjellin këto lloj sëmundje”, tha Llumnica.

Ai ka kërkuar që të aplikohet pensionimi i parakohshëm me pagesën prej 36 pagave në start pasi sipas tij ka një moshë jashtëzakonisht të lartë.

“Nuk e di që aplikohet pensionimi i punëtorëve të parakohshëm. Ne duhet të bëjmë në formë të tillë për arsye se duhet të ripërtërihet stafi i punonjësve të KEK-ut për arsye se ka një moshë mesatare jashtëzakonisht të lartë diku rreth 58 vjet dhe ka nevojë të ripërtërihet ky staf. Ne i kemi ofruar modalitetet edhe Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik që të ripërtërijmë stafin në mënyrë që të ketë një staf më të ri dhe të punësohen të rinjtë, kurse të vjetrit të shkojnë në pension të parakohshëm me pagesën prej 36 pagave në start”, tha ai.“/EO