Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Likaj takon kryetarin e SBASHK-ut, flasin për përgatitjet për fillimin vitit të ri mësimor në ambientet shkollore

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka pritur në takim sot kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, me të cilin ka diskutuar lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor në ambientet shkollore.

Likaj në takim ka folur për koncept dokumentet që janë hartuar për fillimvitin shkollor, sipas rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, ku secili vendim do të merret në konsulim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK-në dhe institutcionet tjera relevante, është njoftuar nga MASH-i. 

Po ashtu në takim, siç ka njoftuar MASH-i, është arritur marrëveshje mes Likajt dhe Jasharajt që të formohet një komision i përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut për të rishikuar Kontratën Kolektive, dhe mundësinë e vazhdimit të programit për ngritjen profesionale të mësimdhënësve, pa shkëputje nga puna.

Likaj ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur zgjidhje të drejtë dhe ligjore për mësimdhënësit, që janë të prekur nga sëmundje të rënda.