Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka vlerësuar se debati lidhur me integrimin institucional të sektorëve vitalë si arsimi dhe shëndetësia duhet të tejkalojë ligjërimin e zakonshëm të debatit ndërshqiptar pushtet–opozitë.
Sipas tij, i gjithë ky proces zhvillohet dhe mund të përmbyllet brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.
Ai ka vlerësuar se Kosova, si shtet evropian që gëzon regjim pa viza për qytetarët e saj në zonën Schengen, ka obligim që legjislacionin e vet ta harmonizojë me atë të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Në këtë kuadër sipas tij është miratuar edhe Ligji për të huajt.
“Zbatimi i këtij ligji ka filluar më 15 mars. Pjesë e këtij procesi është vendosja e afateve tranzicionale (tre muajshe) për qytetarët e Kosovës që, për një arsye apo tjetër, nuk kanë arritur të pajisen me dokumentet e nevojshme personale. I njëjti parim vlen edhe për qytetarët e huaj, në masë të madhe të Republikës së Serbisë, të cilët duhet ta rregullojnë statusin e tyre të qëndrimit në Republikën e Kosovës, fillimisht me leje tranzicionale 12-mujore deri në legalizim të mirëfilltë”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se i ndërlidhur me këtë proces është edhe ai i integrimit në sistemin juridik të Republikës së Kosovës të institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë që deri më tani kanë funksionuar jashtë këtij sistemi.
“Ky proces kompleks kërkon zgjidhje kreative dhe për to ka hapësirë të mjaftueshme brenda kornizës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përfshirë edhe zgjidhjet asimetrike të ndërtuara në Planin e Ahtisaarit. Këto zgjidhje parashohin kompetenca shtesë për disa komuna me shumicë serbe në fushën e arsimit dhe shëndetësisë. Njëkohësisht, ato i japin të drejtë Republikës së Serbisë që, në cilësinë e donatorit, të mbështesë financiarisht këto dhe institucione të tjera, në mënyrë transparente dhe me dijeni të plotë të Bankës Qendrore të Kosovës”, ka shkruar Surroi.
Ai ka thënë se rregullimi i statusit personal të qytetarëve serbë të Kosovës, si dhe integrimi në sistemin ligjor i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë, është njëkohësisht e drejtë e qytetarëve që i përkasin këtij komuniteti dhe obligim i Republikës së Kosovës ndaj qytetarëve të saj.
Ndërkohë, rregullimi i qëndrimit të qytetarëve të huaj me lejeqëndrim të lëshuar nga Republika e Kosovës, qofshin ata nga Serbia apo nga shtete të tjera, sipas Surroit, përfaqëson përmbushje të obligimeve ligjore të shtetit, të harmonizimit me rregullat e BE-së dhe pjesë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë.
“Çështja e rregullimit të dokumenteve të qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, e statusit të qytetarëve të huaj dhe e integrimit institucional të sektorëve vitalë si arsimi dhe shëndetësia duhet të tejkalojë ligjërimin e zakonshëm të debatit ndërshqiptar pushtet–opozitë. I gjithë ky proces zhvillohet dhe mund të përmbyllet brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Surroi.
Qeveria është pajtuar fundjavën e kaluar që zbatimi i Ligjit për të huajt dhe ai për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri.
Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë lejeqëndrime 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.