Ligji për krijimin e Gjykatës Komerciale pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm. Në një diskutim të Odës Ekonomike Amerikane për këtë çështje, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi se me Projektligjin për Gjykatën parashohin që ta rrisin numrin e gjyqtarëve e të stafit administrativ deri në 100 persona. Nga ky diskutim u tha se krijimi i kësaj gjykate do të sjellë siguri në të bërit biznes e rrjedhimisht edhe investime të huaja.
Ligji për themelimin e Gjykatës Komerciale parashihet që të hyjë në fuqi më një janar të vitit të ardhshëm.
Në një tryezë diskutimi për ndikimin e Gjykatës Komerciale në nxitjen e investimeve, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, zëvendësministri i drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se krijimi i saj do të krijojë ambient të përshtatshëm për të bërë biznes e për të sjellë investime të huaja.
Ai ka thënë se me Projektligjin që është hartuar, numri i gjyqtarëve nga 5 do të rritet në 30.
“Në departamentin ekonomik janë vetëm 5 gjyqtarë dhe sipas statistikave që kemi marrë nga Gjykata për vitin 2018-2019-2020 janë 2 260 lëndë të reja, përjashto lëndët e vjetra që ekzistojnë. Pra, pesë gjyqtarë, i bie që secili gjyqtar t’i ketë mbi 500 lëndë për t’i kryer. Kështu, në këtë aspekt është njëfarë lloj mundësie që të gjitha këto konteste të zgjidhen në mënyrën më të shpejtë të mundshme duke e rritur numrin e gjyqtarëve nga 5 në 30”, ka deklaruar ai.
E Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane pohoi se krijimi i Gjykatës Komerciale ka qenë kërkesë e tyre që nga viti 2016 dhe se iniciativën e Qeverisë për ta çuar përpara këtë çështje e shohin si përgjigje ndaj kërkesës së tyre, por edhe të të gjithë komunitetit të biznesit.
“Krijimi i Gjykatës Komerciale, rritja e sigurisë juridike në të bërit biznes në vend, do të ndikojnë edhe në përmirësimin e këtij indikatori, por në të njëjtën kohë edhe në nxitjen e investimeve të brendshme, por edhe në nxitjen e investimeve të jashtme në vend”, është shprehur Zeka.
Projektligji për Gjykatën Komerciale ka kaluar në parim në Komisionin për legjislacion.