Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, ka njoftuar se deri tani kohëzgjatja e trajtimit të lëndëve komerciale ka shkuar deri në pesë vjet.
I ftuar të martën në emisionin 60 Minuta të KTV-së, Tutuli ka thënë se qëllimi i Gjykatës Komerciale është t’i trajtojë lëndët në kohën sa më të shkurtër për shkak se zvarritja e proceseve i shkakton bizneseve kosto të larta.
“Kemi pranuar lëndë nga viti 2014, 15, 16, lëndë të tilla nuk ka pasur në departamentin për çështje ekonomike, sipas të dhënave një lëndë në të tri shkallët ka zgjatur diku 5 vjet, qëllimi i kësaj gjykatë është të trajtojë lëndë në kohë sa më të shkurtër sepse natyra e bizneseve nuk duron zvarritje sepse ka kosto shumë të madhe për bizneset”, ka thënë ai.
Tutuli ka njoftuar se aktualisht në këtë gjykatë ka nisur faza e regjistrimit të lëndëve në regjistrat përkatës, ndërsa nga muaji shtator pritet të fillohet me mbajtjen e seancave të para.
Ai ka shtuar se me ligj parashihet që kjo gjykatë të ketë minimum 20 gjyqtarë, por se deri tani janë rekrutuar gjithsej 11.
“Deri tani janë rekrutuar 7 gjyqtarë në Gjykatën Themelore dhe katër gjyqtarë në Gjykatën e Shkallës së dytë, shpresojmë që shumë shpejt ky numër të mbushet siç është paraparë me ligj, por numri nuk mjafton duhet të rritet edhe mbi 20, që të përmbushen kërkesat ligjore për procedimin e çështjeve në një afat të shkurtër”, ka thënë ai.
Edhe
Tutuli: Nëntë mijë lëndë priten të procedohen në Gjykatën Komerciale
Sipas Tutulit, buxheti i ndarë për Gjykatën Komerciale nuk është i mjaftueshëm.
Ai ka shtuar se në këtë gjykatë kanë në trajtim rreth nëntë mijë lëndë.