Përsëritja e thënies “ligji si llastiku” që kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e pati bërë virale vite më parë, ka qenë shkak që të ketë përplasje mes tij dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Në një konferencë për media të shtunën, ministri Murati prezantoi një pako financiare nga Qeveria si ndihmë për të përballuar inflacionin. Ai në konferencë u pyet edhe për pagat në sektorin publik, për punonjësit që janë futur në grevë. Deri tash ato janë ndaluar nga Ministria që kërkonte listat e punëtorëve nga komunat, për t’ua ndalur pjesën e pagës për ditët që nuk kanë punuar, për shkak të grevës së nisur nga 25 gushti. Komunat nuk i kanë dorëzuar listat. Murati në fjalën e tij kritikoi zyrtarët komunalë duke thënë se “në të kaluarën mund të ketë pasur raste kur ligjet s’janë zbatuar sepse ishin si llastiku”, e duke paralajmëruar se tash ata do të përballen me masa.
Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se për shkak të krizës së rëndë ekonomike, pagat do të procedohen.
“Ka qenë papërgjegjshmëri nga niveli komunal. Siç e kanë shpjeguar edhe ata, listat e pagave rëndom dorëzohen me datë 10 të muajit dhe nëse ka nevojë për korrigjime listat hapen, përditësohen e dorëzohen. Është zbatim i ligjit që kërkon që listat të korrigjohen dhe për orët e punuara të paguhet ai që ka punuar. Për ato që ka mungesë të hiqen. Por s’është bërë ky përditësim përkundër pritjeve dhe afatit shtesë që u kemi dhënë. Do të ishte papërgjegjshmëri nga MF-ja që të procedonte listën e pagave pa e bërë këtë korrigjim. Ne kemi pritur dhe s’ka ndodhur gjë e tillë. Do të shohim edhe gjatë ditëve në vijim nëse do të ndodhë. Por duke marrë parasysh se nga komunat është vënë pezull edhe e gjithë administrata ka vuajtur pasojat sepse komunat kanë refuzuar t’i përditësojnë dhe kompletojnë listat, ne e shohim, në kuadër të situatës së rënduar ekonomike, të domosdoshme që edhe të procedojmë me lista, megjithatë ligji do të duhej të zbatohej. Zyrtarët kryesorë administrativë dhe financiarë janë përgjegjës për zbatimin e ligjeve në fuqi. Në të kaluarën mund të ketë raste kur ligjet jo domosdo janë zbatuar sepse ‘kanë qenë si llastiku’, mirëpo ligjet në fuqi duhet të zbatohen dhe ne patjetër që do të ndërmarrim të gjitha hapat që ata që qëllimshëm s’e zbatojnë ligjin dhe e dëmtojnë buxhetin të përballen me masat që parashohin ligjet në fuqi”, ka thënë ai.
E pikërisht shprehja “ligji si llastiku” që ishte bërë virale nga Lladrovci, ka nxitur reagimin e tij.
“Mirë që po dalin pagat punëtorëve, sepse, nuk bën ndryshe. Punëtorët janë në hall se çfarë të bëjnë me këstet e kredive, me kërkesat familjare, të fëmijëve dhe prindërve të tyre. A ishte dhe a është ‘Ligji si llastiku’ edhe kur deputetët Tuaj merrnin e marrin mijëra euro shtesa, kurse japin ‘leksione’ për mësimdhënësit dhe kërkesat e tyre të drejta duke përfshirë edhe atë për 100 euro shtesë, deri në miratimin e Ligjit të ri të pagave. Ligji edhe mund të jetë si ‘llastiku’, por, para tij duhet të jenë të barabartë të gjithë. Përgjegjësitë ligjore duhet kryer. Llastiku nuk është mirë të tërhiqet shumë se këputet. Kush dëgjon më shumë, përfiton më shumë!” ka shkruar Lladrovci në përgjigje.