Krerët institucionalë të Shqipërisë e kanë përshëndetur vendimin e Komitetit të Ministrave për kalimin në Asamblenë Parlamentare të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Presidenti Bajram Begaj nëpërmjet një postimi në Tëitter e ka uruar Kosovën, duke shpresuar që sa më shpejtë të anëtarësohet me të drejta të plota.
“Urime Kosovë dhe sa më shpejt anëtare me të drejta të plota në KiE!”, ka shkruar Begaj.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e ka përshëndetur këtë vendim, duke thënë se pranimi i kërkesës së Kosovës për në KiE është sukses edhe i Shqipërisë.
“Një lajm i bukur nga Strasburgu. Komiteti i Ministrave miratoi sot kalimin për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës u miratua me 33 vota, nga 31 vota të nevojshme, për t’u shqyrtuar nga Asambleja Parlamentare. Një arritje për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë në një veprimtari intensive lobuese për t’ia arritur këtij qëllimi. Lobimi do të vazhdojë deri në pranimin e Kosovës në organizatën më të madhe evropiane.”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla”, ka thënë ajo.
Ministria e Punëve të Jashtme informoi se të hënën Komiteti i Ministrave me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare vendosi në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare “PACE”.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022.