Ka nisur në Ohër mbledhja e liderëve të shteteve që janë pjesë e iniciativës së “Ballkanit të Hapur”. Dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama i Shqipërisë dhe Dritan Abazoviq i Malit të Zi, para takimit me liderët tjerë kanë takuar ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Të martën në Samitin e Ohrit, Abazoviq e fut zyrtarisht Malin e Zi në iniciativën e nisur prej Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Deri tash iniciativa e këtyre tre shteteve refuzohej nga Kosova, Mali i Zi e Bosnja. Sot, edhe Bosnja i është bashkuar, ndërsa Kosova mbetet e vetmja jashtë.
“Në margjinat e ‘Ballkanit të Hapur’, i lumtur që bisedova me kryeministrin Edi Rama dhe ambasadorin Hill. Të gjithë partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë janë këtu. Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Mali i Zi, si lider në integrim, është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në proces”, ka thënë Abazoviq në Twitter.
“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me kryeministrin, Dritan Abazoviq, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po dhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur”, ka shkruar Rama në Facebook.
Samiti i Ohrit do të nisë në mbrëmje e do të vazhdojë të mërkurën.