Filatelia e Postës së Kosovës, ka lëshuar në qarkullim pullat postare “Nga zejtaria”, me pamjet e të cilave prezantohet artizanati popullor i krijuar në kohërat e vjetra në fushën e zejtarisë në vend.
Veprimtaria e zejeve në Kosovë zhvillohej e ndarë sipas regjioneve, sipas përkatësive kombëtare dhe fetare, ndërsa në qytete si Vushtrri, Prizren, Prishtinë, Gjakovë e Pejë, ndarja bëhej sipas llojit të zanatit në rrugë të caktuara apo pjesë të qytetit.
Në qytetet e Kosovës janë zhvilluar zejet për përpunimin e lëndëve të para nga bujqësia (leshi, lëkura, mëndafshi, pambuku), pylltaria (druri), xehetaria (përpunimi i metaleve dhe jometaleve), etj.
Nga zejet e vjetra dallojmë; terzitë, saraçët, zhgun punuesit, qeleshepunuesit, punuesit e mëndafshit, qilimave, zdrukthëtarët, samarpunuesit, bukëpjekësit, ëmbëltorët, farkëtarët, mbathtarët, qerrepunuesit, kazanpunuesit, stufë punuesit, kallaj punuesit, armëpunuesit, berberët, e të tjera.
Përveç tjerash, në tregjet e Ballkanit dhe të Evropës shqiptarët njiheshin për prodhimin e qilimave dhe zbukurimin e armëve, thuhet në komunikatën e Postës së Kosovës.
{gallery}