Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lekaj thotë se punimet në autostradën “Arbër Xhaferi” përfundojnë në fund të 2018-s

Ministri i Infrastruktures, Pal Lekaj inspektoi sot punimet në Autostradën “Arbër Xhaferi“. Me këtë rast Lekaj me zhvillimin e punimeve në këtë autostradë u njoftua nga zyrtarët e kompanisë “Bechtel & Enka“.

Pas këtij inspektimi, Lekaj në një prononcim për media tha:

“Më lejoni të ju falënderoj për këtë vizitë të këtij inspektimi, në një rrugë që lidh korridore, në një autostradë që ka një gjatësi prej 62 kilometrash. E kam nderin e posaçëm si ministër i Infrastrukturës, që inspektimin e parë rrugor ta bëjë në këtë autostradë, e cila e lidhë korridorin e tetë. Më bëri përshtypje standardi i punimeve dhe siguria e punëtorëve, për këtë periudhë kohore që kanë punuar 1600 punëtorë, nuk ka ndodhur asnjë aksident. Është duke u zhvilluar një standard i lartë i punimeve dhe duhet vlerësuar. Ne pamë nga afër zhvillimet e kësaj autostrade dhe mund të them se edhe pse ka pasur prolongime, jo me fajin e kozorciumit „ Bechtel & Enka“, por me atë që ne kemi pasur ngecje në Qeveri. Mund të them lirisht që segmenti i dytë do të përfundojë më 31 dhjetor në fund të këtij viti”.

Lekaj ka shtuar se punimet e segmentit të tretë që fillojnë nga fshati Doganaj deri në Han të Elezit,do të përfundojnë në fund të vitit 2018.

“Inspektimi i sotëm i këtyre punimeve ka një domethënie, që t’u themi qytetarëve se nga këtu fillon qeverisja e mirë, do të kërkojmë edhe llogaridhënie dhe nuk do të lejojmë kompanitë t’i prolongojnë punimet dhe të zgjasin me vite të tëra, sikur që ka ndodhur deri më sot. Sikur që ne i kryejmë obligimet ndaj kompanive po ashtu nga kompanitë do të kërkojmë llogaridhënie”, ka shtuar ai.

Lekaj ka thënë se nuk do të ketë vonesa për përfundimin e punimeve dhe se e kanë përkrahjen e kryeministrit, të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, për këtë projekt dhe në projektet tjera që kanë një domethënie të madhe për shtetin e Kosovës.