Arbëri

Leja ndërtimore për fabrikën 55-milionëshe përplas pushtetin me opozitën në Podujevë

Refuzimi i kërkesës për leje ndërtimore për fabrikën për riciklim të mbeturinave ka nxitur debat në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Podujevës. Ka qenë këshilltari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mehmet Gashi, ka akuzuar pushtetit për neglizhencë ndaj investitorëve potencialë, ndërsa nga pushteti janë shprehur se Plani Zhvillimor Komunal s’lejon ndërtimin në zonën ku është kërkuar.

Përfaqësues të kompanisë gjermane “Soilcos” dhe ata të “Erdi R Products” në mars të këtij viti kanë qenë për vizitë në Komunën e Podujevës, ku i kishin treguar synimet për hapjen e një fabrike që do të bënte riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtritshme. Të njëjtit kishin marrë mbështetje nga kryetari Shpejtim Bulliqi. Por, më vonë kërkesa e tyre është refuzuar, pasi vendi ku ka kërkuar ta bëjë ndërtimin në fshatin Mirovc, sipas komunarëve, është jashtë zonës së ndërtimit.

“E kam një pyetje për drejtorin e Urbanizmit. Çka është bërë me kërkesën e kompanisë gjermane që ka bërë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave për prodhimin e energjisë së ripërtritshme në Komunën e Podujevës? E ky projekt pritet t’i punësojë 280 punëtorë e kostoja totale e projektit është 55 milionë euro. Këtë publikim e ka bërë edhe kryetari Bulliqi. Edhe pse kryetari i ka shpreh gatishmëri të plotë në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore, ende nuk ka asgjë”, ka thënë Gashi në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Sipas Gashit, kompania në fjalë kishte marrë pëlqimin më 2018 se nuk ka pengesa në Planin Zhvillimor Komunal. Më pas ka thënë se ka bërë kërkesë në Ministrinë e Mjedisit dhe e ka marrë pëlqimin mjedisor. Ndërkaq, Gashi ka thënë se krejt më vonë kompania ka bërë kërkesë zyrtare me dokumentacionin që kërkohet me ligj. Këtu është ankuar se për tre muaj përfaqësuesit e kompanisë s’kanë marrë përgjigje nga autoritetet komunale.

“Derisa ka ardhur delegacioni gjerman, e ka pritur kryetari, e kanë falënderuar kryetarin, prapë nga drejtori iu ka kërkuar kompanisë që të përsërisë kërkesën se ‘janë bërë tre muaj dhe nuk kam mund t’i kthejë përgjigje dhe tash duhet të bëhet kërkesë e re dhe në kërkesë të re do t’i jepet leja’. Ka bërë kërkesë të re, janë bërë gati 2 muaj, më 07.05.2021 është refuzuar se nuk është në harmoni me Planin Zhvillimor Komunal. A është e paraparë edhe kjo kompani me Hartën zonale nga ekzekutivi me e regullu qysh iu ka premtu?”, ka pyetur këshilltari i LDK-së.

Ndërkaq në përgjigjen e tij, drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, ka thënë se në atë zonë Plani Zhvillimor Komunal nuk lejon ndërtimin.

“Ne e kemi një dokument që është si Kushtetutë. Është Plani Zhvillimor Komunal (PZHK). Është themel i Hartës zonale. Zakonisht Ministria i këqyr a po dalim jashtë kufijve të PZHK-së. Miratimin e tyre e kemi që PZHK-në do ta bëjmë të re. Nuk do ta lëmë të vjetrin me Ligjin e vjetër të planifikimit hapësinor. Pas miratimit të Hartës zonale do ta përgatisim PZHK-në e re, duke u bazuar në Ligjin e ri për planifikim hapësinor”, është shprehur Hasani. “Sa i përket fabrikës, para se me ardhë ne, ai e ka pas një aplikim dhe i kemi thënë apliko edhe njëherë se atij aplikimi i ka kaluar afati. Pasi ka aplikuar prapë, ne e kemi bërë një refuzim duke u bazuar në PZHK-në që është në fuqi. Ndërsa PZHK-ja nuk kallëzon a është për zhvillim a jo, por ai thotë, në bazë të PZHK-së ajo zonë (në brezin kufitar v.j.) është jashtë zonës së ndërtimit dhe si të tillë nuk kemi të drejtë ta trajtojmë”.

Drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit ka theksuar se çështja ka shkuar në Ministri dhe po presin zgjidhje të kësaj çështje.

“Sa i përket se a përfshihet kjo në Hartën zonale, ne nuk kemi menduar vetëm për atë kompani, por për të gjitha. Nëse vijnë 20 kompani, të gjitha do ta kenë procedurën e drejtë dhe të njohur se qysh ka për t’u trajtuar ai objekt. Nuk është objekt i zakonshëm, është objekt karakteristik, por kemi vendos kushte për me ardhë deri te kushtet ndërtimore, sepse edhe procesin qysh e kanë filluar e kanë filluar gabim. Së pari është dashtë të pajiset me kushtet ndërtimore brenda komunës. Kushtet i përcakton komuna, ke me marrë leje mjedisore, të zjarrfikësve, e këto krejt. Ai e ka filluar prej bishti, në njëfarë mënyrë, për me i ecë punës”, është shprehur Hasani.

Por, Mehmet Gashi ka insistuar se Plani Zhvillimor Komunal nuk e ndalon ndërtimin në atë zonë kufitare.

“E vërteta është se PZHK ende është në fuqi prej 2016-2026. Ai ka nevojë për ndryshime, për plotësime, mirëpo është në fuqi. PZHK nuk e ndalon ndërtimin në atë zonë. Sepse në faqen 250 të PZHK-së, sipas pikës 5.4, paragrafi 3, lejohet ndërtimi në tokën e cilësisë së ulët mbi klasën e 4 të parcelës. Klasa 4 është një pjesë e vogël e malit. Po sipërfaqja është 7 hektarë, e objekti është 40 ari maksimumi. D.m.th. ka mundur sipërfaqja e klasit 7 për ndërtim dhe nuk ka pengesë me Planin Zhvillimor. Tash është Ministria që vendos, por është e pakuptimtë nëse një investitor heq dorë kur e dimë interesin e punësimit që ka te ne”, është shprehur ai.

Ndërkohë, Bujar Hasani, ka thënë se kanë shembuj që me këtë PZHK janë refuzuar leje të ngjashme ndërtimore.

Më 4 mars 2021, Zyra për informim e Komunës së Podujevës pati njoftuar se kryetari Bulliqi bashkë me drejtorë të Ekzekutivit e kishin pritur në takim pronarin e kompanisë “Soilcos” nga Gjermania, Jurgen Stainmuler dhe përfaqësuesin e kësaj kompanie në Kosovë, Bekim Zejnullahu dhe Rejona Zejnullahu - drejtoreshë e Kompanisë “Erdi R Products”. Sipas atij njoftimi, Jurgen Stainmuler kishte shprehur gatishmërinë të investojë në ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Ndërsa kryetari Shpejtim Bulliqi kishte shprehur gatishmëri në përkrahjen e këtij projekti në aspektin administrativ dhe në ofrimin e kushteve infrastrukturore.

“Përveç përfitimeve në ruajtjen e ambientit dhe prodhimin e energjisë, me këtë projekt do të krijohen edhe shumë vende të reja pune për të rinjtë llapjanë”, pati thënë nëpërmjet atij njoftimi Bulliqi, i cili bashkë me investitorin gjerman ishin pajtuar që menjëherë të fillojnë me procedurat për realizimin e projektit.