Arbëri

Podujeva e konsideron diskriminuese Hartën zonale, kërkon ndryshimin e saj

Rishikim të draft-dokumentit të Hartës zonale ka kërkuar pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë. Zyrtarët komunalë kanë thënë se ky dokument që ende nuk është miratuar në Kuvend, por që i ka kaluar të gjitha procedurat tjera, duhet të ndryshohet në disa pika, për shkak se shkakton pabarazi dhe nuk i merr parasysh kërkesat dhe ankesat e qytetarëve.

Drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, ka theksuar se drafti i Hartës zonale në zonat rurale e lejon ndërtimin vetëm përreth shtëpive ekzistuese, por jo më larg. Ndërkohë, shkakton pabarazi te etazhiteti te ndërtimet në pjesën urbane. Ai në seancën e fundit të Kuvendit Komunal ka thënë se janë në pritje të një përgjigje nga niveli qendror që t’u lejohet t’i bëjnë këto ndërhyrje para se ta miratojnë në Kuvend.

“Pikënisje për hartimin e Hartës zonale është Plani Zhvillimor Komunal (PZHK), i cili përfshin periudhën 2016-2025, edhe pse viti kur është filluar të hartohet PZHK ishte 2009, që do të thotë është një diskrepancë prej shtatë vitesh, fakt që nuk është marrë në konsideratë nga organet më të larta të nivelit qendror. Me marrjen e detyrës në muajin dhjetor 2020, kam gjetur draft-dokumentin e Hartës zonale. Gjithashtu kam gjetur një numër të madh të kërkesave të patrajtuara gjatë hartimit të Hartës zonale të komunës”, ka thënë Bujar Hasani.

Ai ka theksuar se sipas një raporti për PZHK, vlerësimi i kualitetit të tij rezulton të jetë 48.33 për qind që, sipas tij, është nën mesataren.

“Që i bie se hartimi i Hartës zonale nuk është dashtë të vazhdojë tutje me këtë PZHK. Harta zonale e komunës duhet të jetë një dokument i aplikueshëm, të jetë një dokument që ankesat e qytetarëve të merren parasysh, që bizneseve t’u krijohet hapësirë për zhvillim, që ndarja nën blloqeve brenda zonës urbane të jetë pa dallim në kushte të barabarta”, është shprehur drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Hasani ka shtuar se nevojitet të bëhen disa ndryshime në draftin e hartës zonale, por sipas tij, dokumenti si tërësi nuk preket.

“Pikat në të cilat nevojiten ndryshme janë: Rishikimi i blloqeve dhe etazhitetit në zonën urbane, sepse këtu janë dallimet më të mëdha, nuk ka barazi në etazhitet, por as në shfrytëzueshmëri; Të rishikohet dispozita e Hartës zonale për përfshirjen e ndërtesave bujqësore në tokë bujqësore (ashtu siç e ka përcaktuar drafti i HZ të Kosovës); Të rishikohet kufiri i tokës ndërtimore në fshatrat përreth qytetit (gjithsej 10 vendbanime); Të rishikohen koeficientët e ndërtimit në vendbanimet përgjatë rrugës Podujevë-Prishtinë (për gjithsej 12 vendbanime) të rritet në P+2 dhe indeksi i ndërtimit 1.2; si dhe Rishikimi i kufirit të zonës ekonomike-zgjerimi i saj.”

Pika më e rëndësishme, ai ka thënë se është dispozita për ndërtesat bujqësore.

“Në draftin e parë të hartës zonale e cila e ka marrë pëlqimin nga ministria nuk është përfshirë kjo pikë fare edhe përkundër faktit që në Hartën zonale të Kosovës si dokument, është si pikë e veçantë atje. Por, te dokumenti jonë jo, kështu që kemi bërë kërkesë që të futet edhe në dokumentin tonë, që me pa mundësi ta trajtojmë çdo kërkesë të qytetarëve për objektet që janë në shërbim të bujqësisë”, ka theksuar drejtori Hasani. “Kufiri i vendbanimeve sidomos atyre rurale i përcaktuar me PZHK shkon vetëm përreth shtëpive. P.sh. janë dy shtëpi dhe nëse vëllai i tyre dëshiron ta ndërtojë një shtëpi, nuk kemi mundësi ta trajtojmë, sepse kufiri i PZHK-së shkon vetëm përreth shtëpive ekzistuese dhe nuk është marrë gjendja faktike prej vitit 2009, por u marrë prej 2016. Dhe zhvillimi që ka ndodhur jashtë planifikimit me ndërtime pa leje ka ndryshuar gjendja drastikisht”.

Sipas Hasanit, nëse komuna e miraton një draft të tillë të Hartës zonale në një kufi të tillë ndërtimor që është peng i kufirit të PZHK të përcaktuar në vitin 2009 do të thotë se ata si Drejtori duhet t’i refuzojnë investitorët potencialë të bizneset dhe të prodhuesve dhe nuk mund të japin leje ndërtimore të banimit për një numër të konsiderueshëm të banorëve.

“Sidomos në zonat rurale, ani pse ata i kanë parcelat dhe kondidat e barabarta në ato parcela të cilat anë përfshirë në kuadër të kufirit ndërtimor të PZHK-së. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë ku po presim një përgjigje pozitive për ndryshimet në këtë draft-dokument”, ka thënë ai.

Këshilltari nga radhët e LDK-së, Agim Behluli ka thënë se e mbështesin në parim këtë ndërhyrje në draftin e Hartës zonale.

“Nuk po më pëlqen afati prej tetë vjetësh për ndryshimin e Hartës zonale se për tetë vjet mund të ketë shumë ndryshime. Nëse ka mundësi ligjore me u ndryshua afati. E kemi parë se çka ka ndodhur edhe me ndërtime të larta dhe të ulëta”, është shprehur ai.

Ndërsa, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, është interesuar se çfarë do të bëhet me objektet e ndërtuara dhe ndërtimet afër liqenit në fshatin Orllan.

“Harta zonale e ka kaluar një dëgjim publik dhe ka ardhur në Kuvend dhe është tërhequr nga ish-drejtori. Ne duhet ta dimë a janë duke u pajisur me leje ndërtimi ndërtuesit e nivelit të lartë sidomos në qytet? Sa leje janë dhënë deri në këtë fazë? Në zonën e Orllanit janë duke u bërë shumë ndërtime, vila. A janë të pajisur me leje ndërtimi dhe në bazë të cilit kriter janë pajisur me leje? Ne duhet ta dimë për arsye që të mos biem në konfrontim qysh ka qenë leja e ndërtimit për objektin e ‘Beni Donës’”, është shprehur Llapashtica. “PZHK-së ka qenë 10 etazhe, ndërsa ndërtuesi e ka ndërtuar objektin përballë komunës 13 etazhe. Tash me hartën e re a do t’i rrënoni ato 3 etazhe apo do ta pajisni me leje, apo çka do të bëhet? Në Orllan nëse nuk janë dhënë, pse nuk ndërhyni që ndaloni punimet?”

Në anën tjetër, drejtori Bujar Hasani, ka theksuar se pjesa afër liqenit të Batllavës është në kompetencë të nivelit qendror. Sipas tij, Komuna e ka dhënë vetëm një leje, ndërsa pjesa tjetër është duke u ndërtuar pa leje ndërtimore.

“Ndërsa për qytet, ato leje jepen me PZHK dhe Plan Rregullues-zona qendër. Po nëse i këqyrim edhe ato leje, i kanë problemet e veta, sepse janë marrë si referencë dy dokumente. Për shfrytëzueshmëri të shputës e kanë marrë Planin Zhvillimor Urban, që iu jep mundësi me u zhvillua deri në 60-70 për qind, por shkon deri në P+3, ndërsa për etazhitet e kanë përdor Planin rregullues-zonën qendër. Krejt këto objekte përreth çka po shihen e kanë të njëjtin standard. Të gjitha ata e kanë bërë me qëllim që të përfitojnë sa më shumë metra katrorë”, ka thënë Hasani. “Ndërsa me miratimin e Hartës zonale nuk i atakon ndërtimet që kanë ndodh. Na e kemi edhe një proces të legalizimit deri në 2018, krejt çka ka ndodh deri atëherë do të legalizohet në qoftë se është në kuadër të parcelës kadastrale. Sa i përket afatit prej 8 vjetësh, aty është 4 plus 4. Pas 4 vjetëve mundet të bëhet një revidim, por arsyetimi në Ministri duhet me qenë shumë i fortë për me ta japë lejen për me hy në proces të revidimit. Kështu që gjasat janë minimale”.

Drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit ka shtuar se në qytet ka deri tash ka pas dallime të mëdha në kufi të parcelave.

“Diku P+2, P+3, P+4, kështu që dihet se ka pas ndërhyrje prej dikujt, prej kujt nuk e di. Po ashtu PZHK nuk e ka paraparë zgjerimin e familjeve dhe nuk e ka lejuar ndërtimin, por vetëm përreth shtëpive. Pastaj e kemi brezin përgjatë rrugës magjistrale Podujevë-Prishtinë, ku te ne po ndërtohet pa leje. Dhe e kam menduar që duhet ta lejojmë ndërtimin deri në 100m thellësi P+2, që i bie një kat lokal dhe 2 banim, ose edhe veç banim. Në Hartë e kam heq edhe etazhitetin, por e kemi bërë me koeficient, se është më e sigurt”, ka thënë ai.

Këshilltarët komunalë i kanë përkrah këto ndryshime dhe kanë thënë se nëse Ministria vonohet me përgjigje, atëherë Kuvendi ta kthejë në dëgjim publik draftin e hartës zonale, në mënyrë që të mundësohen këto ndryshime.

Image