Arbëri

“Legjitimimi i mashtrimit dhe hajnisë”, gjerësisht në të dielën me “Kohën Ditore”

Afërsisht 60 milionë euro borxhe, me një vendim të Qeverisë iu falën bizneseve në fillim të këtij muaji.

Këtij vendimi kontradiktor, nga i cili përfituan kompanitë që ambalazhojnë ujë, i kushtohet këtë të diel “Koha Ditore”.

Se si është grumbulluar ky borxh, si erdhi deri te vendimi, pse po konsiderohet si i kundërligjshëm dhe çfarë efekti do të ketë, janë disa nga pikat që shtjellohen nga gazetarja Sanie Jusufi.

Si trajtohen qytetarët e si favorizohen bizneset dhe pse një vendim i tillë krijon precedent të rrezikshëm, shpjegon kryeredaktori Agron Bajrami në temën e javës, ndërsa i intervistuar është Arton Demhasaj, drejtor i organizatës “Çohu”.

Një reportazh të veçantë mund ta lexoni nga fshatrat e Vushtrrisë, ku si formë për të siguruar bukën e gojës, punëtorë rrezikojnë jetën duke nxjerrë qymyr.

Kosovarçe, këtë javë u kushtohet krojeve të Bajgores dhe burimet e ujit të ‘kristaltë’.

Nga bota, veçohen profilet e Robinson Kruzos modern, dhe ai për të vetëquajturin ‘intelektual djathtist’, gjermanin Goetz Kubitschek.

Në shtatë shkronja këtë javë përgjigjet autori Virgjil Muçi, ndërsa në faqet e kulturës, njoftoheni me dy artistë grafiti, Fat Heat dhe Trans One, që qëndruan në Prishtinë.

Sporti, këtë javë sjell profilet e dy futbollistëve gjilanas, Leotrim Kryeziut të Dritës që shkëlqeu me përfaqësuesen u-19 të Kosovës, dhe sulmuesin Betim Haxhimusa të Gjilanit dhe sfidat e tij me lëndimet e shumta.