Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të rrijë duarkryq, pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila vendosi që mos të rinumërohen votat në kryeqytet.
Një ditë pas numërimit të votave me kusht atyre me postë dhe me nevoja të veçanta të cilat nxirren fitues Shpend Ahmetin e VV-së duke e lënë pas Arban Abrashin e LDK-së është mbledhur kryesia e këtij subjekti politik, raporton KTV.
Për afër dy orë diskutimi, zyrtarët e lartë të kësaj partie vendosën që ti ndjekin rrugët ligjore kundër këtij rezultati duke insistuar se rinumërimi duhet të ndodh.
Në emër të LDK-së ka folur Gazmend Muhaxheri i cili tha se Shpend Ahmeti me shefat e tij iu frikësua këtij procesi.
Sa i përket Istogut, LDK-ja e ka quajtur proces kriminal, aty ku fitoi Gani Dreshaj i AAK-së pas numërimit të votave me kusht ku mori shumicën për të përmbysur rezultatin ndaj Haki Rugovës së LDK-së.
Ndërkaq sa i përket komunës së Dragashit, sipas Muhaxhirit LDK nuk ka diskutuar për këtë çështje gjatë mbledhjes së kryesisë.
LDK po pret vendimin e PZAP –së për ankesat e dorëzuara për Istog.
Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje arriti të fitoi udhëheqjen e Prishtinës edhe për një mandat katër vjeçar.
Diferenca mes tij edhe Arban Abrashit të LDK-së është 365 vota.