Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar qeverinë rreth pakos së re ekonomike, duke e kritikuar se ka paraqitur masa diskriminuese.
Besian Mustafa nga kjo parti, tha se qeveria ka paraqitur pako të re në panik dhe se ajo nuk do të ketë ndonjë ndikim.
“Thërrasim qeverinë të trajtojë këtë krizë me seriozitet dhe të ketë masa konkrete. Qeveria paraqiti një pako të re në panik e pa ndonjë konsultë, pako jo efektive dhe diskriminuese, masa të vonshme dhe nuk do të kenë fare efekt. Për LDK -në ky është veprim në panik i kësaj qeverie, për të blerë paqen sociale. Qeveria ka injoruar tërësisht sektorin privat që janë motori i ekonomisë”, tha ai.
Sipas tij, pakoja nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët.
“Kjo pako nuk ofron mbështetje për të gjithë qytetarët dhe është diskriminuese, duke u ndarë vlerën e njëjtë edhe atyre që kanë 300 euro edhe ata që kanë 2 mijë euro rrogë”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës paraqiti të shtunën pakon e përballjes me inflacionin, duke bërë me dije se do të ndajë nga 50 euro shtesë për të punësuarit publik deri në fund të këtij viti fiskal, nga 100 euro shtesë për pensionistët në muajin shtator, 100 euro shtesë për punonjësit e ndërmarrjeve publike, dyfishim të asistencës sociale për një muaj dhe nga 100 euro për studentët për muajin nëntor.
Edhe
LDK: Qeveria po e injoron sektorin privat, kontribuuesin më të madh tatimor
Po ashtu, përmes pakos, nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë. Do të subvencionohet për muajt në të cilët qytetarët do të shpenzojnë më pak në raport me muajt e njëjtë të vitit të shkuar.
Sipas pakos, do të ketë mbështetje edhe të bizneseve që rrisin pagat e punëtorëve “duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”.
Vlera totale e pakos arrin në 150 milionë euro.