Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK: Kosova po përballet me pandeminë e re, atë të paaftësisë së MSH-së

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka thënë se Kosova po përballet me një pandemi të re, atë të paaftësisë së Ministrisë së Shëndetësisë, që t’u japë përgjigje problemeve të këtij sektori në vend.

Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, Hyseni ka thënë se nga investimet kapitale të premtuara nga ekzekutivi, janë realizuar vetëm pesë për qind.

Një tjetër problem të këtij sektori, Hyseni e ka cilësuar edhe ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga vendi, duke përmendur edhe numrin e tyre.

“Paaftësia qeverisëse po i lë qytetarët pa shërbime shëndetësore, profesionistët shëndetësorë po i trajton me lëmoshë ndërsa investimet kapitale në këtë fushë janë realizuar vetëm 5%. Janë mbi 120 profesionistë shëndetësorë që e kanë lënë vendin, ndër ta edhe 40 specializantë. Është kjo qeverisje që nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1000 profesionistëve shëndetësorë, që i kishin shtyllë të shërbimeve shëndetësore gjatë pandemisë”, ka thënë ai.

Ai ka akuzuar Qeverinë edhe për mungesë të barnave esenciale, duke thënë se ka buxhet për furnizim me ilaçet që mungojnë.

“Mungesa e barnave nga lista esenciale është një problem i jashtëzakonshëm. Sipas KDI-së, MSH-ja ka ilaç të cilin e blen me 280 për qind më shtrenjtë sesa vlera e tregut të tij. Kemi buxhet për ilaçe, ka mungesë të ilaçeve. Kemi buxhet për investime kapitale, ato nuk janë realizuar, vetëm 5 për qind në gjashtë mujorin e parë, ju bëjmë thirrje që këtyre probleme t’u japin përgjigje”, është shprehur ai.

Edhe LDK-ja e quan të paaftë Qeverinë për t’u përballur me problemet në shëndetësi LAJMET E MBRËMJES LDK-ja e quan të paaftë Qeverinë për t’u përballur me problemet në shëndetësi

Ai më tej kujtoi një deklaratë të ministrit aktual të Shëndetësisë, Rifat Latifi, se do të dorëhiqet nga ky post në rast dështimi, por që sipas tij dështimi është duke ndodhur ndërsa dorëheqje nuk ka.

“Mos të harrojmë që kohë më parë ministri i Shëndetësisë ka deklaruar se në rast dështimi, ai do të largohet, unë mendoj se është e frikshme nëse dështimet na vijnë nga mospuna dhe paaftësia dhe përgjigja me largim është ajo që nuk do të duhet të ndodhë, por duhet të zgjidhen problemet”, ka thënë ai.