Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes: Çdo hap me SHBA-në forcon sigurinë tonë

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e mbështesin përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes e cila udhëhiqet nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Abdixhiku mes tjerash ka deklaruar se kjo tejkalon çdo lajm ditor pasi çdo hap i përbashkët me SHBA-në e forcon sigurinë e Kosovës.

“Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj. Në një botë gjithnjë e më fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kryetari i LDK-së tutje ka thënë se sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare me të cilat mburremi të gjithë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitullin e ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.

Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump në një ceremoni që është mbajtur të enjten në Davos të Zvicrës.

Edhe Abdixhiku takohet me  Osmanin, shpreh mbështetjen e LDK-së për Bordin e Paqes Arbëri Abdixhiku takohet me Osmanin, shpreh mbështetjen e LDK-së për Bordin e Paqes

Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë shkëmbyer disa fjalë.

Osmani pas ceremonisë ka reaguar me një foto bashkë me Trumpin, duke shkruar: “Sepse aleanca me Amerikën është rruga e vetme!”.

Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.