Arbëri

LDK-ja, PDK-ja e LVV-ja thonë se do të dalin të parat në zgjedhjet e parakohshme

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e obligon ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, ka bërë që partitë politike t’i fillojnë përgatitjet për këtë proces.

Secila prej tyre tashmë është e bindur që do të dalë e para.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që po mbështeten në sondazhe të ndryshme, të cilat këtë parti e nxjerrin si fituese të zgjedhjeve.

Këtë të mërkurë, Besnik Bislimi ka shkruar se nga këto zgjedhje LVV-ja do të mund t’i sigurojë madje edhe 60 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është që edhe përkundër të gjithë këtyre elementëve të listuar më sipër, me vetëm pak më shumë angazhim VV do ketë më shumë se 60 deputetë në kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë Bislimi.

Se do të dalë më e fuqishmja si parti politike nga këto zgjedhje e beson edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila e zyrtarizoi kandidatin e saj për kryeministër, Enver Hoxhaj.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen në fund të janarit ose fillim të shkurtit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se vota e Etem Arifit është e pavlefshme dhe se Qeveria Hoti nuk i kishte marrë 61 votat që i nevojiteshin për t’u formuar.