Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për opinionin ka shprehur qëndrimin se nuk e pranon që presidenti i vendit Hashim Thaçi të udhëheqë negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
LDK në komunikatë thekson:
Ne besojmë se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjin tonë verior, Serbinë. Dëshirojmë të përshëndesim angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së.
Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë.
Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria.
Ndërkaq, platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë.
Rrjedhimisht, presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës.
Edhe
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja përfshijnë dialogun me Serbinë në programe, LVV-ja jo
Kështu që, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës.
LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë. Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës.
LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, theksohet në komunikatë, dhe përfundon se “Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira”.