Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja kërkon nga Qeveria ta pranojë “planin 10-pikësh për shmangie të krizës energjetike”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që ta pranojë planin 10-pikësh të kësaj partie në mënyrë që sipas saj, qytetarët të mos preken nga kriza energjetike.

Ndër pikat e renditura, LDK-ja ka bërë apel që të ndahet subvencioni prej 90 milionë eurove për energjinë, të riparohet Blloku A5 i Termocentralit Kosova A, të zbritet TVSH-ja nga 8% në 0% për faturat e energjisë e të krijohen subvencione të reja për qytetarët dhe bizneset.

“Pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milion euro për çmimin e energjisë elektrike. Riparimi i Bllokut A5 i Termocentralit Kosova A. Krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët. Përgatitja e planit të eficiencës dhe kursimit të energjisë. Negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji. Zbritja e TVSH-së nga 8% në 0% për faturat e energjisë. Krijimi i subvencioneve të reja për qytetarët dhe bizneset. Largimi i tarifave diskriminuese të ZRRE-së. Themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri. Përgatitja e Strategjisë afatmesme për rritjen e kapaciteteve gjeneruese me gaz dhe energji alternative”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Kjo parti ka akuzuar Qeverinë për keqmenaxhim, duke thënë se si pasojë e tij, po bien edhe blloqet e KEK-ut.

“Ende pa u rregulluar Blloku A5, bie Blloku A3, duke bërë kështu që KEK-u të mos prodhojë as gjysmën e kapacitetit të tij, ku 530 MË/h janë jashtë prodhimit. Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje Qeverisë që të pranoj planin tonë dhjetëpikësh dhe t’i shpëtoj qytetarët, sepse me qasjen e saj të deritanishme po e shpien vendin drejt katastrofës energjetike. Bazuar në paaftësinë e dëshmuar të kësaj Qeverie, pritet të zgjatet edhe orari i reduktimeve”, thuhet më tej në komunikatë.

Edhe 10 propozimet e Abdixhikut për zbutjen e krizës energjetike Arbëri 10 propozimet e Abdixhikut për zbutjen e krizës energjetike

Ndërkohë LDK-ja nuk ka dhënë ende përgjigje nëse do ta pranojë ftesën e kryeministrit Albin Kurti që kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, të takohet me të për të diskutuar rreth takimit të fundit më 18 gusht me palën serbe në Bruksel. Kurti i ka ftuar liderët e opozitës për takim të martën. Deri më tash, kërkesës i është përgjigjur pozitivisht vetëm AAK-ja.