LDK-ja i është kundërpërgjigjur Jakup Krasniqit duke thënë se në asnjë rast nuk e ka vënë dialogun në relacion me taksën ndaj Serbisë.
Krasniqi përmes një komunikate për media kishte thënë se, “e kuptoj reagimin e Serbisë, por jo të LDK-së e Thaçit që kushtëzojnë dialogun me heqjen e taksës”, transmeton Koha.net.
“Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi paska thënë se e kupton reagimin e liderëve të Serbisë për taksën prej 100 për qind, po nuk e kupton reagimin e LDK-së dhe të presidentit Hashim Thaçi që kushtëzojnë dialogun me heqjen e taksës. Krasniqi e paska humbur rrugën, sepse LDK në asnjë rast nuk e ka vënë dialogun në relacion me taksën”, thotë LDK, transmeton KTV.
Kjo parti më tutje shton se LDK-ja është deklaruar se dialogu duhet të ndërpritet dhe të kushtëzohet me ndërprerjen e fushatës së ndyrë serbe ndaj Kosovës.
“LDK, poashtu, është shprehur se dialogun duhet ta zhvillojë një qeveri që përfaqëson shumicën meritore në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe jo Qeveria e pakicës. Pra, LDK po insiston për legjitimitet para dialogut. LDK është shprehur, poashtu, se dialogu nuk është çështje urgjente dhe se para se të fillojë dialogu duhet të arrihet një pajtueshmëri e gjerë e spektrit politik në Kosovë. Prandaj, as që na ka rënë ndërmend të kërkojmë heqjen e taksës, sepse ne nuk na është ngutur”, thuhet më tutje në komunikatën e LDK-së.
Edhe
Krasniqi: E kuptoj reagimin e Serbisë, por jo të LDK-së e Thaçit që kushtëzojnë dialogun me heqjen e taksës
LDK thekson se partisë së Krasniqit i është ngutur ta drejtojë dialogun, andaj tentojnë që këtë veprim të pa menduar mirë - dhe sipas nesh të gabuar - të mundohen ta fshehin duke e sulmuar pa asnjë bazë LDK-në.
“Sa i përket presidentit Thaçi, ai ka qenë kryetar shumëvjeçar i Krasniqit dhe i Limajt. Edhe tani po i shkojnë pas në dialog. Nuk po i shkon LDK-ja, as me taksë, e as pa taksë”, thuhet në komunikatë.