Vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë përpara me projektin për ndërtim të infrastrukturës së gazit në Kosovë, financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lidhja Demokratike e Kosovës po e konsideron hap të gabuar strategjik.
Të enjten, Ministria e Ekonomisë njoftoi se Qeveria ka kërkuar informata të mëtejme për të vendosur për këtë çështje, por se afati i MCC-së është strikt. Ministrja Artane Rizvanolli u shpreh se Qeveria ka vendosur të përdorë programin për investime në projekte “që kanë më shumë siguri, por që gjithashtu kontribuojnë në mënyrë domethënëse drejt tranzicionit energjetik të Kosovës”.
“Sot, Qeveria e Kosovës refuzoi projektin më gjeostraregjik amerikan në Ballkan, atë të gazpërçuesit, që do t’i siguronte shtetit tonë furnizim me gaz e së këndejmi dhe tranzicionin e nevojshëm energjetik. Përveç se, në paranoizmin e pashpjegueshëm politik, e cilësoi të njëjtin si “gaz rus”, me këtë vendim, Kosova i refuzoi dhe 200 milionë dollarë, që Presidenti Biden, kohë më parë i kishte konfirmuar si grant - fonde falë - për Republikën e Kosovës dhe projektin në fjalë. Një hap i gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”, thuhet në reagimin e LDK-së.