Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se të paktën do t’i ruajë votat që i kishte në zgjedhjet e kaluara, ato të 6 tetorit 2019, kur e nxorën si forcë të dytë në Kosovë.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, në një intervistë për KP ka thënë se është e mundur që edhe të shtohen këto vota në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen për pak javë.
Kosova është me qeveri në detyrë, pasi Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, përmes të cilës iu mundësua LDK-së që të krijojë Qeverinë Hoti më 3 qershor.
“Pritjet tona janë shumë pozitive, besoj që do t’i ruajmë, ndoshta t’i rrisim votat që i kemi pasur. Ato çka i dëgjojmë janë fabrikime, lajme të rrejshme, ato që i kemi pa tash e disa vite fatkeqësisht, partitë politike ose individët, ose disa të veshur edhe në petkun e analistit shpërndajnë lajme të rrejshme. Synojmë të fitojmë me ekipin dhe njerëzit ma të mirë të vendit”, tha ai.
LDK-ja në zgjedhjet e kaluara fitoi 24.5 për qind të votave, 1.7 për qind më pak se VV-ja.
Abrashi, që është ministër i Infrastrukturës, thotë se Qeveria ku bën pjesë po kryen punë të mira.
“Kryeministri Hoti po bën një punë të mirë, e ka marrë qeverisjen në një kohë të vështirë. Shpesh herë është akuzuar në formën se si e ka marrë qeverisjen, por ka qenë një vendim i Gjykatës Kushtetuese ashtu siç na tregojë tash Kushtetuesja, por punën e ka bërë shumë të mirë”, thotë Abrashi.
Edhe
Haziri për bashkëpunimin me LVV-në: S’kemi pranuar ftesë por duhet stabilitet institucional
E për kandidatit e LDK-së për kryeministër, Abrashi thotë se do të vendoset pas mbledhjes së Kryesisë së partisë.
“Ne do të ftojmë një mbledhje të kryesisë ditëve në vijim, aty do të dëgjojmë edhe anëtarët e Kryesisë dhe orientimet e kryetarit dhe të kryetarëve të degëve. Pas asaj i shpalosim të gjitha”, u shpreh ai.
Zgjedhjet pritet të mbahen në fund të janarit ose fillim të shkurtit.